Së bashku me z. Basilio Antonio Toth, Bashkë-drejtorin Italian të zyrës Njësia e Mbështetjes Teknike (TSU) e Programit IADSA dhe stafin e kësaj zyre, inauguruam sot Qendrën Rekreative në Lagjen “5 Shtatori”, një vepër e realizuar përmes financimit të përbashket të IADSA dhe Bashkisë Skrapar.
Kjo qendër e pozicionuar brenda një blloku pallatesh banimi, shënon një transformim rrënjësor të një hapësire publike, të zënë me ndërtime tërësisht të degraduara apo garazhe të ndërtuara pa asnjë kriter urban. Pamjet sesi kjo hapësirë dukej përpara fillimit të investimit dhe atë çka qytetarët shohin sot, flasin më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo hapësirë publike është shndërruar sot në një qendër, ku individë të të gjitha moshave mund të kalojnë në mënyrë qytetare kohën e tyre të lirë. Ideuesit e këtij projekti kanë parashikuar (tashmë kjo e materializuar në terren) një mini kënd lojrash për fëmijët, tavolina shahu dhe ping pongu për më të rriturit, paralele hekuri, si dhe një fushë basketbolli për të rinjtë, duke bërë që kjo qendër të shfrytëzohet më së miri nga të gjithë. Nga ana arkitekturore, ajo është një kombinim perfekt i hapësirave të gjelbërta dhe punimeve në gur sipas traditës të qytetit tonë. Ndriçimi i saj e bën këtë qendër shumë tërheqëse. Përveç financimit nga IADSA, Bashkia Skrapar me fondet e saj ka bërë të mundur rehabilitimin e fasadave të pallateve rreth kësaj qëndre, duke i dhënë edhe më shumë vlerë këtij ansambli të munguar në këtë pjesë të qytetit. Ajo është shndërruar sot në një qendër të dytë të qytetit të Çorovodës. Ndaj, Bashkia Skrapar gjen rastin të falenderojë dhe shpreh mirënjohjen e saj për IADSA dhe stafin e saj të mrekullueshëm, të cilët me financimin e tyre bënë të mundur ndërtimin e kësaj qendre, e cila është ndoshta nga investimet urbane më serioze të viteve të fundit. Një falenderim i veçantë shkon po ashtu për “MVM Architecture” për hartimin e këtij projekti shumë funksional estetik si dhe kompaninë “IDK KONSTRUKSION” për realizimin mjaft cilësor të kësaj vepre.
Zhvillimi i aktivitetit “Përqëndrim, lojë dhe krijim”, në të cilin morën pjesë fëmijë të talentuar të tre shkollave të qytetit, në disiplinat e basketbollit, pingpong-ut, shah-ut dhe pikturës, ishte mënyra më e mirë për ta inaguruar këtë qendër, e cila do të vijojë të shfrytëzohet (sikurse edhe gjatë festimeve të “5 Shtatorit”) për aktivitete social kulturore. Të përqëndruar në hapësirat e dedikuara të secilave prej disiplinave në të cilën morën pjesë, këta fëmijë treguan edhe njëherë se talenti i tyre i bën bashkë në këtë qendër dhe jo vetëm. Falenderojmë të gjithë fëmjët dhe tre shkollat e qytetit për bashkëpunimin e ofruar.
Aktivitet përmbyllës, i organizuar në bashkëpunim me Bashkinë Skrapar, nga Grupi Informal “RAM”, i mbështetur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, për të zbatuar projektin “E ardhmja e sigurt që rrjedh. Ndërgjegjësim për mbrojtjen e lumit Osum”.
Gjejmë rastin të falenderojmë përzemërsisht sponsorat tanë për këtë akt të çmuar.