Takim me fermerët dhe blegtorët e Bashkisë Skrapar
Bashkia Skrapar organizoi ditën e djeshme një sërë takimesh, me tema të ndryshme të cilat prekin drejtpërdrejtë qytetarët. Takimi i parë ishte ai me një grup fermerësh dhe blegtorësh që u organizua në sheshin qendror të qytetit të Çorovodës. Të pranishëm në këtë takim ishin Ministri i Brendshëm, njëkohësisht drejtues politik i Qarkut të Beratit, z. Bledar Çuçi, si dhe zëvendësministri i Bujqësisë z. Arjan Jaupllari. Në fjalën e tij hyrëse Kryetari i Bashkisë z. Adriatik Mema falenderoi fermerët, blegtorët, bletërritësit që falë punës dhe iniciativës së tyre private arrijnë të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre duke qenë në të njëjtën kohë edhe taksa pagues të rregullt. Në vijim ai theksoi, se ky takim me këtë grup interesi, u realizua për të dëgjuar problemet që ata kanë por edhe për t’i inkurajuar që ata të vazhdojnë të merren me biznesin e tyre të shtojnë më tepër krerët në blegtori, bletari, sipërfaqet e mbjella me pemëtari, etj. Bashkia Skrapar e ka pasur dhe do ta ketë në qendër të vëmendjes fshatin.
Më pas fjalën e mori zv.Ministri z. Arjan Jaupllari , i cili u ndal në realizimin e reformës në shërbimin veterinar, si një nga reformat më të suksesshme të qeverisë shqiptare, falë së cilës u realizuan shërbime falas si: matrikullimi dhe vaksinimi i bagëtive. Z. Jaupllari u shpreh se programe të ndryshme të Ministrisë së Bujqësisë janë inkurajuese dhe mbështetëse për këdo që do të investojë. Ai theksoi se nuk duhet të jemi vetëm konsumatorë, më së pari duhet të prodhojmë.
Në bashkëbisedimin me fermerët, të cilët falenderuan Bashkinë për bashkëpunimin, pavarësisht mundësive që ka pushteti vendor problematika kryesore për ta mbeten, ngritja e një pike grumbullimi të mjaltit, një linje të prodhimit të vajit të ullirit, funksionimi i tregut të produkteve bujqësore, si dhe implementimi në kohë i skemës së subvecionimeve nga shteti. Pas problematikave të parashtruara nga fermerët, ministri z. Bledar Çuçi theksoi se është i nevojshëm bashkëpunimi mes fermerëve dhe pushtetit vendor në funksion të ngritjes së pikave të grumbullimit, kjo në kuadrin e një programi të posaçëm asistence për ata që dëshirojnë të investojnë. Ndërsa sa i takon çështjes së pagesës së subvencioneve z. Çuçi theksoi se fondi i qeverisë për këtë qëllim ka ardhur duke u rritur, duke bërë që përfituesit të jenë më të shumë nga viti në vit.
Ky takim por edhe raporti që Bashkia Skrapar ka vendosur me fermerët dhe blegtorët do të intensifikohet më tej në funksion të nxitjes së iniciativës së tyre private.
Prezantimi i arritjeve të Bashkisë Skrapar për vitet 2019-2022
Pas përfundimit të takimit me fermerët dhe blegtorët, vizita e z. Çuçi vijoi në sallën e kinemasë së qytetit, në një takim të zgjeruar në të cilin u prezantuan arritjet e Bashkisë Skrapar gjatë këtij mandati qeverisës.
Në fjalën e tij të hapjes Ministri Çuçi u ndal në mbështetjen që qeveria dhe Kryeministri Rama i kanë dhënë Bashkisë Skrapar, në funksion të realizimit të projekteve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Si të tilla ai përmendi, ujësjellësin e ri të qytetit, punimet që po kryhen për fazën e dytë të Rilindjes Urbane si dhe rijetëzimin e qendrës Bogovë, si një destinacion turistik. Më tej ai vlerësoi punën e bërë nga Bashkia Skrapar duke theksuar se mbështetja e qeverisë do të jetë gjithmonë e pranishme.
Më pas fjalën e mori Kryetari i Bashkisë i cili që në krye të herës theksoi se “Është një detyrim ligjor dhe moral për mua si Kryetar Bashkie të dalë përpara komunitetit në këtë takim llogaridhënie, për ato çka bashkia ka bërë në këto 3vite, sfidat dhe projektet për të ardhmen”.
Ai prezantoi përpara pjesëmarrësve projektet kryesore , duke filluar me ato në fushën e arsimit. Këtu veçoi ndërtimin e ambienteve sportive “të munguara deri tani” , në të 3-ja shkollat e qytetit. Më tej ai u ndal në investimet në ujësjellësa, kjo e parë me prioritet nga qeveria, për t’u furnizuar 24 orë me ujë të pijshëm, ku përmendi: rehabilitimin e ujësjellësit të Çorovodës dhe fshatrave Çerenisht dhe Sharovë, furnizimin me ujë të fshatrave Gjerbës dhe Kakrukë, zëvendësimin e pompave ekzistuese dhe rikonstruksionin e godinës së stacionit të pompave të Ujësjellësit, Çorovodë
Ai theksoi se një vend të rëndësishëm në këto investime zënë dhe ato të sistemimeve urbane ndër to përmendi: rikualifikimin urban të ambienteve rekreative si dhe restaurimin e fasadave të objekteve të lagjes 5 Shtatori Çorovodë, rikualifikimin e qendrës së Çorovodës, faza e dytë si dhe rehabilitimin e qendrës Bogovë dhe rrugës për të ujëvara.
Më pas ai vijoi me administrimin e mbetjeve urbane, këtu ai prezantoi gjithë punën e bërë nga bashkia për të siguruar një menaxhim të mbetjeve sipas parametrave bashkëkohor, një proces ky që është realizuar në bashkëpunim me një sërë donatorësh, si : Ambasada Japoneze, Gjermane, Zviceriane.
Nga ambasada japoneze Bashkia Skrapar ka përfituar një automjet për grumbullimin e mbetjeve, ka përfituar një makinë teknologjike për transportin e tyre, gjithashtu ka përfituar dhe një autobot për larjen e rrugëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta.
Nëpërmjet Ambasadës Gjermane “Projekti Giz” ka përfituar një projekt i cili transformoi rrënjësisht vend-depozitimin e mbetjeve duke e kthyer atë në një vend-depozitim urban dhe me standarde bashkëkohore, po ashtu dhe me Ambasadën Zviceriane është bërë e mundur sigurimi i një mjeti teknologjik me kalueshmëri të lart për tërheqjen e mbetjeve në zonat periferike të qytetit të Çorovodës, në këtë fushë Kryetari theksoi se bashkia ka edhe projekte në proces për sa i takon menaxhimit të mbetjeve siç ishte ai për rehabilitimin e mbetjeve të ngurta apo projekte që do të fillojnë së shpejti, për ndarjen e mbetjeve. Bashkia Skrapar është një ndër bashkitë e para që aplikon procesin e kompostimit të mbetjeve organike.
Më tej ai u ndal në investimet në infrastrukturën rrugore duke përmendur segmentet kryesore të cilat janë rehabilituar gjatë këtij mandati por edhe projektet që tashmë janë depozituar pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit siç është ai Bogovë-Novaj, Lis i Buzuqit-Strorë, Çorovodë-Grepckë, Çorovodë-Blezënckë etj.
Një kapitull të veçantë në prezantimin e Kryetarit të Bashkisë zinte ai që kishte të bënte me punën dhe performancën e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, në mbajtjen pastër të qytetit dhe në implementimin e projekteve të vogla urbanizuese brenda blloqeve të pallateve në qytetin e Çorovodës.
Në fund të fjalimit të tij Kryetari i Bashkisë u ndal në prioritetet e së ardhmes ku përmendi:
- Këndi i lojërave për fëmije në Çorovodë
- Ndërtimi i lulishtes në lagjen “Estref Caka”
- Asfaltimi i tre segmenteve rrugore ne qytet
- Rehabilitimi i vend-depozitimit të mbetjeve të ngurta
- Ndërtimi i Ambienteve Sportive “Zylyftar Veleshnja”
- Ndërhyrje restauruese përgjatë kanioneve: Varisht, Ura e Zaberzanit
- Ujësjellësit: Radësh, Vërzhezhë, Munushtir, Orizaj, Strorë, Potom, Therepel, Vëndreshë
- Palestra Multifunksionale, Çorovodë
- Rikonstruksioni i sallës së Pallatit të Kulturës
- Rrugët: Çorovodë – Grepckë
- Lisi Buzuqit – Strorë
- Bogovë – Novaj
- Mal i Tomorrit – Gjerbës
- Ndërtimi i shkollës së Mesme Potom
- Rikonstruksioni i shkollës Vëndreshë
Prezantimi i Kryetarit të Bashkisë u ndoq me shumë interes nga të pranishmit.
Inspektim i punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Çorovodës
Ministri i Brendshëm z. Ҫuҫi, inspektoi ditën e djeshme punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit të Ҫorovodës, si dhe fshatrave Ҫerenisht e Sharovë.
Ky është një nga investimet më të mëdha të këtij mandati të qeverisjes vendore, financuar nga buxheti i shtetit. Furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë Rama. Punimet për ndërtimin e këtij ujësjellësi kanë filluar në korrik 2020 dhe janë tashmë në fazën përfundimtare.
Ministri Ҫuҫi, pa nga afër ecurinë e punimeve të kryera nga kontraktori zbatues i projektit. Stafi inxhinierik bëri një prezantim të shkurtër të punimeve në kommponentët kryesorë të projektit: veprën e marrjes (burimi i Guhakut), stacionin e pompimit, linjat e dërgimit në depo deri në pikën fundore të furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve. Në sajë të këtij investimi, shpejt banorët e qytetit të Çorovodës dhe fshatrave përreth do të kenë 24 orë ujë të pijshëm në ditë.
Takimi me njerëzit e suksesit
Dita e djeshme u mbyll me një mbrëmje “Gala” në të cilën Bashkia Skrapar vlerësoi kontributin e një grupi të suksesshëm individësh nga fusha e biznesit, mjekësisë, arsimit etj.
Në fjalën e hapjes Kryetari i Bashkisë shprehu “ Mirënjohjen për arritjet e këtyre individëve dhe vlerësim për suksesin që ata kanë bërë ndër vite me punën dhe përkushtimin e tyre”.
Më tej ai theksoi se është detyrim moral i bashkisë të vlerësoj kontributin e këtyre njerëzve që bëjnë diferencën në komunitetin tonë.
Më pas mbrëmja vijoi me prezantimin e individëve të përzgjedhur për këtë qëllim, të cilët ishin: mësues, fermerë, infermierë, grupi i vaksinimit.
Më vijim Kryetari i Bashkisë prezantoi të gjithë të përzgjedhurit e kësaj mbrëmje dhe shprehu vlerësimin e tij për secilin prej tyre, për ato çka ata bëjnë në përditshmëri, qofshin të administratës shtetërore apo iniciativën private.
E veçanta e kësaj mbrëmje ishte vlerësimi që u shpreh për grupin e vaksinimit të kujdesit shëndetësor, Kryetari i bashkisë u ndal posaçërisht në kontributin që këto zonja kanë dhënë në përballimin e situatës së Covid -19.
Për të gjithë të pranishmit u shpërndanë certifikata mirënjohje të shoqëruara me dhurata simbolike, të përgatitura enkas nga Bashkia Skrapar.
Ministri Çuçi ishte i pranishëm në këtë event, ai shprehu vlerësimin e tij për kujdesin që Bashkia Skrapar tregon në mbështetje të individëve qofshin këta blegtorë, bletërritës, etj.
Më tej mbrëmja vazhdoi në grupe më të vogla në një atmosferë mjaft festive.