Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Month: January 2023

Fjala e kryetarit të Bashkisë në konferencën shkencore “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit 1942-1944”

I nderuar Kryetar i Akademise se Shkencave Akademik Gjinushi, Të nderuar Akademikë, profesorë, studiues, I nderuari deputet Naço, Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë, Detyra e kryetarit të Bashkisë më jep privilegjin të flas nga tribuna më e lartë shkencore që kemi. Ndjehem shumë i nderuar të jem përpara kësaj audience, e cila, si rrallë herë, krijon një sinkron midis studiuesve, referuesve elitarë të historisë sonë, të ftuarve dhe sidomos publikut të gjerë të interesuar për atë çka do të kuvendohet. Më lejoni, së pari, të shpreh falënderimet më të përzemërta për kryetarin e Akademisë së Shkencave, prof. dr. Skënder Gjinushin, dhe stafin e Akademisë për gatishmërinë e treguar në organizimin dhe mbështetjen e kësaj konference, si dhe për secilin studiues që do të kemi kënaqësinë t’i dëgjojmë pak më pas. Në rrugëtimin e vet shumëshekullor, populli i Skraparit, sikundër i gjithë Shqipërisë, është përballur me sfida të panumërta, të cilat janë fiksuar fort në kujtesën historike. Këto sfida kanë prodhuar vlera kulturore specifike që reflektojnë identitetin e tij kulturor, në raport me krahinat e tjera, dhe formojnë atë që quhet ndërgjegje qytetare krahinore. Midis tyre, një vend të posaçëm nderi, zë rezistenca, përkrahja dhe lufta kundër fashizmit për çlirim. Është tashmë fakt i gjithë pranuar që Skrapari i ka dhënë shumë Luftës Nacionalçlirimtare. Dihet që agresioni fashist e vuri popullin shqiptar para një sprove të re historike. Ashtu si shumë treva të tjera edhe populli i Skraparit u rreshtua në anën e duhur të historisë.  Ai u mobilizua masivisht në Luftën Antifashiste duke dhënë një kontribut të spikatur qytetar, që në raport me kushtet i tejkalonte kapacitetet njerëzore lokale dhe  mundësitë ekonomike e sociale të tij. Krahina e Skraparit ka, ndër të tjera, meritën se gjatë gjithë luftës manifestoi një mbështetje dhe solidaritet mbarë popullor, duke provuar kësisoj se e drejta e lirisë  nuk mund të mposhtet nga çdo lloj armiku sado  i sofistikuar në mjete e armë luftarake. I gjithë territori i tij mbart shumë ngjarje dhe data historike të shënuara të LANÇ. Skrapari i dha luftës 404 dëshmorë të cilët sakrifikuan për një të ardhme më të mirë të brezave të mëvonshëm. Kjo na bën të gjithëve të ndihemi krenar për atë brez që bëri histori, duke e lartësuar emrin e Skraparit në historinë e luftës për çlirim kombëtar, duke u bërë, po ashtu, pjesë e memories sonë kombëtare. Kjo konferencë përveç të tjerash është edhe një nderim për të gjithë ata që luftuan apo dhanë edhe jetën për çlirim kombëtar. Dëshiroj të citoj një shkrimtar të njohur, i cili thotë se “të gjitha luftërat luftohen dy herë: një herë në fushën e betejës dhe një herë në atë të memories”. Besoj se kam edhe mirëkuptimin tuaj se sa e vërtetë dhe aktuale është kjo frazë edhe për ne shqiptarët. Në kushtet e lirisë së fjalës, të besimit dhe organizimit politik, pra, në kushtet e bashkëjetesës së ideve politike do të ishte mëkat të mos tregonim të vërtetën historike, të vërtetën e heronjve siç ishin, me zigzaget dhe mëdyshjet që ka qenia njerëzore, pra, pa retushe; jo si do të donte të ishin njëra apo tjetra palë. Historia nuk mund të jetë monopol dhe portofol i pushtetit të radhës. Personalisht mendoj se e vërteta historike mund të mos përkojë me të drejtën historike, por ky është një problem tjetër dhe për këtë fjalën e fundit e thonë historianët. Unë jam këtu për të dëgjuar dhe mësuar. Dhe ndërsa ai brez skraparllinjsh trima dhe patriotë e bëri detyrën e vet, duke u bërë bashkautorë të një nga faqeve më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është detyra e të gjithë ne, më së pari e studiuesve, historianëve, elitave politike dhe civile që “beteja e memories” të jetë një pasqyrim real, objektiv dhe gjithë përfshirës i asaj çfarë ka ndodhur shumë vite më parë. Në një farë mënyrë, ky është edhe qëllimi i konferencës së sotme, e cila bën bashkë historianë dhe studiues elitarë të fushës. U jam shumë mirënjohës atyre, jo vetëm pse pranuan të ndajnë me ne punën e tyre shkencore, por edhe për një ndjenjë të dukshme simpatie dhe respekti që ushqejnë për Skraparin. Së fundmi, dua të ndaj me të gjithë ju një detaj special për organizimin e kësaj konference. Ka qenë inkurajimi dhe këmbëngulja e një miku të të gjithë neve sa jemi në këtë sallë, pa përjashtim, që të vinim në këtë ditë. Unë dhe panelistët e nderuar, kemi harxhuar shumë kohë së bashku, duke diskutuar deri në detaje zhvillimin e kësaj konference. Nuk mund ta imagjinoni se me çfarë meraku ka përcjellë çdo hap të organizimit të saj. Ky është prof. dr. Ajli Alushani, i cili po e ndjek këtë konferencë nga larg. Faleminderit, doktor! Ju i bëni nder jo vetëm Skraparit, kudo ku ndodheni.Duke përfunduar, dëshiroj të falënderoj të gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen në këtë konferencë. Prania juaj e bën edhe më të plotë atë. Një falenderim i veçantë edhe për stafin e Bashkisë Skrapar dhe atë të Akademisë së Shkencave për përkushtimin profesional për mbarëvajtje të konferencës. 

Punime të mbara!

Ju faleminderit!

Konferencë shkencore “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit 1942-1944”

Të njohim historinë. Kontributi i Skraparit dhe i Skrapallinjve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimitare.

Edhe njëherë sot, sollëm në vemendje historinë skraparase, nëpërmjet një Konference për “Veçoritë e Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit”, e cila u zhvillua nga Bashkia Skrapar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Tiranë.
Aktiviteti u hap me fjalën e mirëseardhjes nga Kryetari i Akademisë z. Skënder Gjinushi i cili ndër të tjera tha: – “Traditat e dukuritë e antifashizmit në zonën e Skraparit janë të ngjashme, për të mos thënë të njëjtat me ato të gjithë Shqipërisë, e veçanta dhe e përgjithshmja e zhvillimeve të luftës antifashiste në Skrapar me ato mbarëvendore janë thuajse të mbivendosura, është kjo arsyeja e kushtimit të një konference të veçantë për ngjarjet e luftës së dytë botërore nbë zonën e Skraparit. Në historinë e qëndresës antifashiste dhe të luftës çlirimtare të popullit të Skraparit mund të shihen të gjitha fazat e pamjet e antifashizmit në Shqipëri, prej krijimit të çetave të para vullnetare të mbështetura në traditat e mëhershme të vetëmbrojtjes së vendit, si çeta e parë e Skraparit, apo çeta e Kulmakut; deri tek betejat e vërteta me ushtritë pushtuese si ajo e Tendës së Qypit; që prej trimërive vetjake deri tek brigadat e organizuara si Brigada VII.”

Gjithashtu, këtë aktivitet e përshëndeti Kryetari i Bashkisë Skrapar, z. Adriatik Mema, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: “Dëshiroj të citoj një shkrimtar të njohur, i cili thotë se “të gjitha luftërat luftohen dy herë: një herë në fushën e betejës dhe një herë në atë të memories”. Besoj se kam edhe mirëkuptimin tuaj se sa e vërtetë dhe aktuale është kjo frazë edhe për ne shqiptarët. Në kushtet e lirisë së fjalës, të besimit dhe organizimit politik, pra, në kushtet e bashkëjetesës së ideve politike nuk do të ishte mirë, të mos të tregonim të vërtetën historike, të vërtetën e heronjve siç ishin, me zigzaget dhe mëdyshjet që ka qenia njerëzore, jo si do të donte të ishin sipas njërës apo tjetrës palë”.

Pjesë e panelit përshëndetës të kësaj konference ishte dhe z. Nasip Naço. Gjatë fjalës së tij z. Naço u shpreh se një konferencë e tillë është me një rëndësi shumë të madhe për Skraparin dhe Lufta Nacional Çlirimtare do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë tonë kombëtare.

Konferenca u nda në dy seanca dëgjimore, ku në seancën e parë të saj ishin pjesë në panel, z. Paskal Milo i cili foli për “Rolin dhe vendin e Skraparit gjatë luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Më pas, kumtesa do të vazhdonte nga z. Mariglen Kasmi me temë “Marrëveshja e Beratit shtator – tetor 1943, në dritën e dokumenteve arkivore gjermane”. Seancën e parë të kumtesës do e përfundonte z. Pëllumb Xhufi, i cili solli në këtë konferencë disa nga dilemat tragjike të nacionalitetit të majtë dhe raste konkrete siç ishte rasti i Xhelal Staraveckës.
Fillimin e seancës së dytë do ta shënonte tematika “Çeta e parë antifashiste e Skraparit dhe komandanti i saj, Mestan Ujaniku” nga z. Ajet Shahu dhe z. Zylyftar Bregu. Më tej kjo seancë do të vijonte me “Organizmin ushtarak të Ballit Kombëtar në zonën e Skraparit gjatë Luftës së Dytë Botërore”, nga z.Asllan Zemani.
Mbi kontributin e Skraparit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, znj. Anila Basho solli në këtë seancë dëgjimore, shumë nga ngjarjet, vendet dhe datat e kësaj historie.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm shumë të ftuar, pasardhës të pjesëmarrësve dhe dëshmorëve të rënë në LANÇ. Nëpërmjet kësaj konference u kthye edhe njëherë vëmendja tek historia e LANÇ, e cila e bën edhe me të veçantë krahinën e Skraparit.