Të njohim historinë. Kontributi i Skraparit dhe i Skrapallinjve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimitare.

Edhe njëherë sot, sollëm në vemendje historinë skraparase, nëpërmjet një Konference për “Veçoritë e Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit”, e cila u zhvillua nga Bashkia Skrapar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Tiranë.
Aktiviteti u hap me fjalën e mirëseardhjes nga Kryetari i Akademisë z. Skënder Gjinushi i cili ndër të tjera tha: – “Traditat e dukuritë e antifashizmit në zonën e Skraparit janë të ngjashme, për të mos thënë të njëjtat me ato të gjithë Shqipërisë, e veçanta dhe e përgjithshmja e zhvillimeve të luftës antifashiste në Skrapar me ato mbarëvendore janë thuajse të mbivendosura, është kjo arsyeja e kushtimit të një konference të veçantë për ngjarjet e luftës së dytë botërore nbë zonën e Skraparit. Në historinë e qëndresës antifashiste dhe të luftës çlirimtare të popullit të Skraparit mund të shihen të gjitha fazat e pamjet e antifashizmit në Shqipëri, prej krijimit të çetave të para vullnetare të mbështetura në traditat e mëhershme të vetëmbrojtjes së vendit, si çeta e parë e Skraparit, apo çeta e Kulmakut; deri tek betejat e vërteta me ushtritë pushtuese si ajo e Tendës së Qypit; që prej trimërive vetjake deri tek brigadat e organizuara si Brigada VII.”

Gjithashtu, këtë aktivitet e përshëndeti Kryetari i Bashkisë Skrapar, z. Adriatik Mema, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: “Dëshiroj të citoj një shkrimtar të njohur, i cili thotë se “të gjitha luftërat luftohen dy herë: një herë në fushën e betejës dhe një herë në atë të memories”. Besoj se kam edhe mirëkuptimin tuaj se sa e vërtetë dhe aktuale është kjo frazë edhe për ne shqiptarët. Në kushtet e lirisë së fjalës, të besimit dhe organizimit politik, pra, në kushtet e bashkëjetesës së ideve politike nuk do të ishte mirë, të mos të tregonim të vërtetën historike, të vërtetën e heronjve siç ishin, me zigzaget dhe mëdyshjet që ka qenia njerëzore, jo si do të donte të ishin sipas njërës apo tjetrës palë”.

Pjesë e panelit përshëndetës të kësaj konference ishte dhe z. Nasip Naço. Gjatë fjalës së tij z. Naço u shpreh se një konferencë e tillë është me një rëndësi shumë të madhe për Skraparin dhe Lufta Nacional Çlirimtare do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë tonë kombëtare.

Konferenca u nda në dy seanca dëgjimore, ku në seancën e parë të saj ishin pjesë në panel, z. Paskal Milo i cili foli për “Rolin dhe vendin e Skraparit gjatë luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Më pas, kumtesa do të vazhdonte nga z. Mariglen Kasmi me temë “Marrëveshja e Beratit shtator – tetor 1943, në dritën e dokumenteve arkivore gjermane”. Seancën e parë të kumtesës do e përfundonte z. Pëllumb Xhufi, i cili solli në këtë konferencë disa nga dilemat tragjike të nacionalitetit të majtë dhe raste konkrete siç ishte rasti i Xhelal Staraveckës.
Fillimin e seancës së dytë do ta shënonte tematika “Çeta e parë antifashiste e Skraparit dhe komandanti i saj, Mestan Ujaniku” nga z. Ajet Shahu dhe z. Zylyftar Bregu. Më tej kjo seancë do të vijonte me “Organizmin ushtarak të Ballit Kombëtar në zonën e Skraparit gjatë Luftës së Dytë Botërore”, nga z.Asllan Zemani.
Mbi kontributin e Skraparit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, znj. Anila Basho solli në këtë seancë dëgjimore, shumë nga ngjarjet, vendet dhe datat e kësaj historie.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm shumë të ftuar, pasardhës të pjesëmarrësve dhe dëshmorëve të rënë në LANÇ. Nëpërmjet kësaj konference u kthye edhe njëherë vëmendja tek historia e LANÇ, e cila e bën edhe me të veçantë krahinën e Skraparit.