Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Konsultimi Publik “Plani Vendor i Arsimit Parashkollor” Korrik 2026

Bashkia Skrapar zhvilloi konsultimin publik për Planin Vendor të Shërbimit të Arsimit Parauniversitar 2027–2029

Data: 16 Korrik 2026
Vendndodhja: Bashkia Skrapar Salla e mbledhjeve
Kategoria: Konsultim Publik | Arsim

Në kuadër të procesit të hartimit të Planit Vendor të Shërbimit të Arsimit Parauniversitar 2027–2029, Bashkia Skrapar zhvilloi konsultimin publik me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve arsimore, mësuesve, përfaqësuesve të Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, prindërve, përfaqësuesve të organizatave, medias dhe qytetarëve të interesuar.

Gjatë takimit u prezantua dokumenti strategjik, i cili përcakton vizionin, objektivat dhe prioritetet e Bashkisë Skrapar për zhvillimin e arsimit parauniversitar gjatë periudhës 2027–2029. Prezantimi u fokusua në analizën e situatës aktuale të arsimit parashkollor, bazë dhe të mesëm, sfidat dhe nevojat e identifikuara, si dhe masat e planifikuara për përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor.

Në mënyrë të veçantë, u prezantuan pesë objektivat strategjikë të planit, prioritetet e investimeve në infrastrukturën arsimore, rritjen e sigurisë dhe aksesit në arsim, përmirësimin e mjedisit edukativ, forcimin e rolit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, si dhe mekanizmat e monitorimit dhe vlerësimit të zbatimit të planit.

Konsultimi publik përbën një etapë të rëndësishme të procesit të hartimit të këtij dokumenti, duke krijuar mundësinë që institucionet arsimore, prindërit, komuniteti dhe të gjithë aktorët e interesuar të japin mendimet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre, të cilat do të shqyrtohen gjatë finalizimit të planit.

Bashkia Skrapar mbetet e angazhuar për ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, të sigurt dhe cilësor, në përputhje me nevojat e komunitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, duke e konsideruar bashkëpunimin me të gjithë aktorët lokalë një element thelbësor për realizimin e objektivave të këtij plani.

Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë proces konsultimi, i cili do të shërbejë në hartimin e një dokumenti strategjik sa më përfaqësues dhe të zbatueshëm për zhvillimin e arsimit parauniversitar në Bashkinë Skrapar.

Hapat e mëtejshëm

Pas përfundimit të procesit të konsultimit publik dhe shqyrtimit të rekomandimeve të marra, Projekt Plani Vendor i Shërbimit të Arsimit Parauniversitar 2027–2029 do të finalizohet dhe do t’i paraqitet organeve kompetente për miratim, duke shërbyer si dokumenti bazë për planifikimin, investimet dhe monitorimin e zhvillimit të arsimit parauniversitar në Bashkinë Skrapar.

Projekt Plani Vendor i Shërbimit të Arsimit Parauniversitar 2027–2029
Prezantimi i konsultimit publik
Procesverbali i konsultimit publik