Takim ndërgjegjësues mbi sigurinë në shkolla
Takim ndërgjegjësues mbi sigurinë në shkolla.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional midis Bashkisë Skrapar, Komisariatit të Policisë dhe shkollave të qytetit, nisën sot veprimtaritë ndërgjegjësuese me fokus ndalimin e fenomeneve negative dhe rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla dhe pranë tyre.
Në aktivitetin e organizuar sot, në shkollën e mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi”, morën pjesë përfaqësues të Bashkisë, përfaqësues të Policisë, drejtues të shkollës, mësues, psikologë, oficerë të sigurisë dhe përfaqësues nga qeveria e nxënësve.
Përfaqësues të Bashkisë pjesëmarrës në këtë takim vunë theksin në nevojën e bashkërendimit të përpjekjeve për të identifikuar në funksion të garantimin të sigurisë në shkolla.
Nga ana e tij, shefi i rendit në Komisriatin e Policisë Komisar Shyto Laze, theksoi se siguria në shkolla është përgjegjësi ligjore e të gjithë aktorëve. Ndaj dhe kërkohet të bashkëpunohet për identifikimin e hershëm të problematikave për të mos lejuar që ato të gjejnë vend në mjediset tona shkollore.
Gjatë takimit u diskutua në detaje sesi të ndërtohet në vijueshmërinë bashkëpunimi midis shkollave, Bashkisë dhe organeve të Policisë me synim garantimin në vazhdimësi të sigurisë në shkolla.
Gjithashtu, u theksua domosdoshmëria e reagimit dhe kontributit të gjithsecilit, për t’u ardhur në ndihmë të rinjve në nevojë, në mënyrë që të mos i lejojmë të vijojnë drejt akteve të paligjshme që të çojnë drejt greminës, por të ecin në rrugën e dijes, në rrugën e sigurt drejt së ardhmes.
Takime si ky i sotmi, do të vijojnë edhe në shkolla të tjera si në qytet, ashtu edhe në Njësitë Administrative.



