Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Month: September 2021

Ambasada e Japonisë dhuron 139 tituj librash për bibliotekën e qytetit

Ditën e sotme në mjediset e Ambasadës së Japonisë në Tiranë u zhvillua një ceremoni modeste gjatë së cilës u dhuruan 139 tituj librash, ne gjuhen angleze, për bibliotekën e qytetit të Çorovodës, në kuadër të projektit “Read Japan”.

Ky fond librash, vjen si një dhuratë e çmuar, për lexuesit, duke iu dhënë atyre mundësinë të njihen nga afër me kulturën, artin, letërsinë  dhe qytetërimin japonez, si pjesë  e rëndësishme e qytërimit botëror. Ambasadori i Japonisë, Sh. T. Z. Takada Mitsuyuki, në fjalën e tij pasi vlerësoi bashkëpunimin dhe partneritetin e vendosur me Bashkinë Skrapar, shprehu gatishmërinë për ta vazhduar këtë bashkëpunim me projekte konkrete në të ardhmen.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Skrapar z. Adriatik Mema, shprehu mirënjohjen për këtë donacion i cili mbart një simbolikë të veçantë, si dhe asistencën e dhënë nga qeveria Japoneze, duke ndihmuar dukshëm në rritjen e kapaciteteve logjistike sa i takon administrimit të mbetjeve urbane dhe pastërtisë në qytet. Të dy palët shprehën dëshirën për ta vazhduar, këtë bashkëpunim, në projekte të tjera të përbashkëta, në të ardhmen e afërt, në funksion të rritjes së standardit të shërbimeve ndaj komunitetit.

Ambasada e Japonisë dhuron 139 tituj librash për bibliotekën e qytetit

Dita Botërore e Pastrimit

Në Ditën Botërore të Pastrimit, Bashkia Skrapar, strukturat vartëse të saj në  bashkëpunim me Projektin e Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta në Qarkun Berat, në kuadër të  nismës  “Qyteti më i Pastër”,  organizoi aksionin për pastrimin  e qytetit nga mbetjet.

Aksioni u zhvillua përgjatë rrugës së kanioneve të lumit Osum, sheshet  dhe hapësirat midis  pallateve të qytetit, si  dhe disa rrugë të brendshme në qytet.

Këtij aksioni iu  bashkuan vullnetarë të të gjitha moshave, të rinj e të reja të shkollës së mesme, si dhe  nxënës të shkollave 9 vjeçare, të cilët u bënë pjesë e pastrimit të territoreve ku  ata luajnë.

Bashkia Skrapar falenderon të gjithë ata që morën pjesë ne këtë ditë aksioni dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët të kontribuojnë për një qytet sa më të pastër, për ta bërë atë gjithnjë e me shumë tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.

 

        

5 Shtatori – Dita e çlirimit të Skraparit

U përkujtua sot 79 vjetori i çlirimit të Skraparit. Bashkia Skrapar, në bashkëpunim me Organizatën e  Veteranëve të LANÇ të Skraparit, organizoi sot një ceremoni përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Anti Fashiste Nacional – Çlirimtare. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Bashkisë, drejtues të saj, përfaqësues të Prefekturës, veteranë, pasardhës të familjeve të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë. Të pranishmit vendosën kurora dhe buqeta me lule në nderim të veprës së pavdekshme të atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Kryetari i Bashkisë z. Adriatik Mema solli kontributin e shkëlqyer të bijve dhe bijave të Skraparit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm për çlirimin e Skraparit, por të gjithë Shqipërisë. Vepra dhe sakrificat e tyre, tha ndër të tjera z. Mema, do të nderohen përjetësisht. Skrapari është krenar për historinë dhe kontributin e çmuar në luftën për çlirimin e vendit. Në vijim, z. Mema theksoi nevojën për të shndërruar gjithë ansamblin ku sot janë vendosur varrezat  e dëshmorëve dhe muzeu i rrethit në një zonë e cila duhet të jetë në lartësinë e veprës së dëshmorëve që prehen në këto varreza. Për këtë, shtoi ai, Bashkia në bashkëpunim me aktorë të tjerë, do të bëjë të mundur hartimin e një projekti i cili synon rikonceptimin e gjithë kësaj hapësire. Viti që vjen, shtoi z. Mema, shënon edhe 80 vjetorin e çlirimit të Skraparit, ndaj dhe Bashkia së bashku me organizatën e veteranëve të LANÇ, do të fillojë sa me parë përgatitjet për festimin me madhështi të këtij përvjetori.

Nderim dhe mirënjohje për jetë dëshmorëve të Skraparit.