Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Month: January 2022

Bashkia Skrapar Realizon Ndarjen dhe Kompostimin e Mbetjeve Bio

Në kuadër të projekteve IPA Greqi-Shqipëri 2014-2020, me financim nga BE, Bashkia Skrapar realizoi me sukses projektin “LESS Waste II”. Realizimi i këtij projekti, vjen si një risi, jo vetëm për Bashkinë Skrapar, por dhe në të gjithë vendin, pasi për herë të parë mbetjet organike do të kompostohen, duke gjeneruar pleh organik , i cili më pas do të përdoret për të mbuluar nevojat e Bashkisë, në sektorin e gjelbërimit.

Për të realizuar kompostimin e mbetjeve, Bashkia realizoi me sukses procesin e ndarjes së tyre në burim, nëpërmjet blerjes dhe vendosjes së koshave me kapacitet 240 dhe 120 litrash (në total 100 të tillë) pranë bareve dhe restoranteve të cilët gjenerojnë këto mbetje. Këtij qëllimi i shërbeu blerja e një makinerie kompostimi “Rocket A 900”, e njëjtë me ato që përdoren në vende me standarde të larta në fushën e trajtimit të mbetjeve, (e para e këtij lloji në vendin tonë), e cila u vendos në një ambient të ndërtuar enkas për funksionin e mësipërm. Kjo makineri, ka filluar procesin e kompostimit të mbetjeve organike dhe shume shpejt, produktet e saja do të përdoren për të mbuluar nevojat e bashkisë, në sektorin e gjelbërimit.

Përveç  ndarjes së mbetjeve në burim dhe kompostimit të tyre, realizimi i këtij projekti pati një efekt pozitiv dhe në menaxhimin më të mirë të mbetjeve, gjë që u realizuar nëpërmjet blerjes dhe vendosjes së 100 koshave me kapacitet 1100 litrash në të gjithë territorin e Bashkisë.

Menaxhimi i mbetjeve është një nga sektorët proritarë të punës së Bashkisë, pasi një kontroll dhe menaxhim sa më i mirë i tyre ndikon në cilësinë e jetesës së komunitetit. Në këtë kontekst, Bashkia po punon që ndarjen e mbetjeve në burim ta shtrijë në të gjithë qytetin.

Bashkia Skrapar falënderon të gjithë partnerët vendas dhe të huaj (Qendrën e Menaxhimit të Mbetjeve DIADYMA SA, Qendrën e Kërkimit dhe Teknologjisë Greke CERTH, Bashkitë  Grevena dhe Kastoria, Institutin e Kërkimit Urban në Tiranë URI) për pjesëmarrjen dhe asistencën e vyer në realizimin e suksesshëm të këtij projekti, me shumë interes për komunitetin tonë. Një falënderim të veçantë për stafin e Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për mbështetjen e ofruar në çdo hap të realizimit të këtij projekti.


Rehabilitimi i Venddepozitimit të Mbetjeve në Bashkinë Skrapar

Me financim të GIZ, po punohet për rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve në Bashkinë Skrapar. Punimet në këtë objekt, të cilat janë tashmë drejt përfundimit, synojnë jo vetëm zgjerimin në masë të konsiderueshme të hapësirës në të cilën administrohen mbetjet, por edhe pajisjen e këtij venddepozitimi me masa mbrojtëse të cilat zvogëlojnë ndikimin e mbetjeve në tokë, ajër dhe ujë, në funksion të mbrojtjes së  mjedisit dhe shëndetit të banorëve. Falë këtyre punimeve, Bashkia mund të përdorë në mënyrë më të sigurt dhe të kontrolluar venddepozitimin për një kohë të caktuar, deri në gjetjen e një zgjidhjeje më afatgjatë. Punimet rehabilituese në këtë venddepozitim janë pjesë e prioriteteve të Bashkisë sa i takon administrimit cilësor të mbetjeve urbane. Në vijim, Bashkia po harton një projekt të veçantë sa i takon rehabilitimit të venddepozitimit të mbetjeve të ngurta. Bashkia Skrapar vlerëson lart dhe falënderon GIZ për financimin e këtij projekti me shumë vlerë për komunitetin tonë. Një falemderim i veçantë, po ashtu, për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për mbështetjen e ofruar në realizimin e tij.


Trans Adriatik Pipeline (TAP) i dhuron një mjet Zjarrfikës Bashkisë Skrapar

Në  kuadër të bashkëpunimit të frytshëm të vendosur tashmë me kompaninë Trans Adriatik Pipeline (TAP), Bashkia Skrapar ka përfituar së fundmi një automjet zjarrfikës me kalueshmëri të lartë, i cili i është bërë pjesë e kontingjentit të mjeteve në përdorim nga Sektori i Shërbimit të MZSH-së, duke rritur cilësisht kapacitetet e këtij shërbimi.

Sektori i Shërbimit të MZSH-së, do të ketë, kësisoj, mundësinë të përballojë më mirë situatat e emergjencës civile nga zjarret apo aksidentet. Ky automjet, i pajisur me të gjithë artikujt e nevojshëm të mbrojtjes dhe shpëtimit nga zjarri, ju dhurua Bashkisë Skrapar në prag të festave të fund vitit, në një ceremoni, në të cilën ishin të pranishëm  përfaqësues të  kompanisë Trans Adriatik Pipeline, Kryetari i Bashkisë z. Adriatik Mema, si dhe  të gjithë punonjësit e Sektorit të Shërbimit të MZSH-së.

Në vijim, sipas marrëveshjes së nënshkruar mes dy palëve, në pranverën e  këtij viti,  Bashkia Skrapar, do të përfitojë nga Kompania Trans Adriatik Pipeline edhe një mjet tjetër zjarrfikës, i përshtatshëm për  situata emergjente në zonat me reliev më të thyer malor.

Këto automjete i shtohen, kështu, fondit të asistencës së vazhdueshme që TAP ka dhënë për Bashkinë Skrapar ku, ndër më kryesoret, do të përmendnim: ndërtimin e kopshtit të ri në qendër të qytetit, ndërtimin e stacionit të pompave të ujësjellësit të qytetit, rikonstruksionin e shkollës 9-Vjecare Therepel, sistemim dhe asfaltim të disa segmenteve rrugore, ndriçimin e hyrjes së qytetit, etj.

Bashkia Skrapar, përfiton nga rasti t’i shpreh  Kompanisë Trans Adriatik Pipeline dhe stafit të saj menaxherial në Shqipëri, mirënjohjen e thellë për këtë ndihmë të çmuar,  në funksion  të sigurisë së jetës  dhe pronës së banorëve të saj.