Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: Eugen

Hapja e Thirrjes VI të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës

PROGRAMI KOMBËTAR I PRAKTIKAVE TË PUNËS, THIRRJA VI

 

Në zbatim të Vendimit nr. 395, datë 29.04.2015, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore dhe Institucionet e tjera Publike”, i ndryshuar, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shpall thirrjen e gjashtë të “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës”.

 

Informacionin rreth Programit, institucionet pjesëmarrëse, numrin e praktikantëve dhe profilet studimore të kërkuara mund t’i gjeni në linkun: http://praktika.arsimi.gov.al, nga ku mund të kryeni edhe aplikimin online, pasi të klikoni në dritaren “Aplikimi”.

 

Aplikimi është i hapur për të rinjtë, që përmbushin këto kritere:

 

  • Të jenë 21-26 vjeç;
  • Të kenë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”;
  • Të mos kenë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme .

 

Të rinjtë e interesuar duhet të aplikojnë vetëm në një institucion të caktuar, në të kundërt aplikimi i tyre nuk do të merret në konsideratë.

 

Dokumentet që duhet të ngarkojnë aplikantët janë :

a- CV (jetëshkrimin) e aplikantit;

b- Letra e motivimit

 

Afati për aplikim është nga data 9 Korrik deri më datë 31 Korrik 2021.

 

Pas mbylljes së aplikimeve, institucionet përkatëse do të lajmërojnë nëpërmjet postës elektronike të përzgjedhurit për të filluar praktikën 3- mujore, në periudhën 16 gusht 2021 – 16 nëntor 2021.

 

Pjesëmarrësit do të përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, aftësimin e mëtejshëm për punën në grup, përshtatshmërinë me ambientin e punës, ndërmarrjen e iniciativave etj..

 

Të gjithë praktikantët që e përfundojnë praktikën me sukses pajisen me certifikatë lëshuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Deparamenti i Administratës Publike dhe periudha tre – mujore e praktikës njihet si përvojë pune nga Departamenti i Administratës Publike.

           

Rehabilitimi i segmentit rrugor Potom-Backë

Bashkia Skrapar ka bërë të mundur së fundmi rehabilitimin e rrugës Potom-Backë. Punimet sistemuese dhe mirëmbajtëse në këtë segment përkojnë edhe me festimet që besimtarët Bektashianë të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit zhvillojnë në Teqenë e njohur të Backës. Është kjo, si në çdo rast festimesh të tilla, një mënyrë që Bashkia Skrapar investohet, përmes Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, për të krijuar kushte sa më të mira për besimtarët Bektashianë. Një falënderim i veçantë për punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, punëtorët, manovratorët, drejtuesit e mjeteve, si dhe Administratorin e Njësisë Administrative Potom dhe komunitetin për bashkëpunimin e shkëlqyer.

 

             

Ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit” (pas vdekjes) zotit Bashkim Caka

Në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Bashkisë Skrapar, u zhvillua në datën 20.06.2021, ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit” (pas vdekjes) për z. Bashkim Caka.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë familjarë të z. Caka, anëtarë të Këshillit të Bashkisë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, gjyqtarë, qytetarë të Skraparit etj. Ceremoninë e hapi Kryetari i Bashkisë, i cili në fjalën e tij vlerësoi figurën e z. Bashkim Caka, duke theksuar se “ai ishte një gjyqtar me kurajë dhe integritet të lartë, model jo vetëm për komunitetin e atyre që janë pjesë e sistemit të drejtësisë, por edhe me tej, i cili asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk u influencua nga asgjë tjetër, përveçse nga ligji dhe vetëm ligji. Gjithçka arriti në jetë ishte vetëm me punë, pasion, përkushtim dhe profesionalizëm, ndaj edhe asnjëherë nuk i mungoi respekti i kolegëve dhe publikut. Ishin cilësitë që ai mishëronte të cilat bënë që Bashkimi të qëndronte gjithmonë në lartësinë e misionit të gjyqtarit, pavarësisht vështirësive që sistemi i drejtësisë ka shfaqur në këto vite demokraci. Drejtësia në Shqipëri ka nevojë për shembuj dhe modele si ai i Bashkim Cakës.”

Titulli “Qytetar Nderi i Skraparit“ iu dorëzua familjarëve nga zonja Edlira Shkëmbi, kryetare e Këshillit të Bashkisë Skrapar. Ceremoninë e përshëndetën edhe të ftuar si z.Fatmir Xhafaj, z.Sokol Sadushi, z. Nasip Naço, z.Spartak Braho, z. Sadik Xhaferraj. Po ashtu, përmes mesazheve apo letrave të dërguara, ceremonia u përshëndet edhe nga z. Francesk Ganaj, z. Maksim Haxhija, z.Muharrem Kushe, znj. Vasilika Hysi, z. Fehmi Abdiu.

 

       

Pastrimi i rrugës nga kthesa e Vërzhezhës në hyrje të qytetit

Bashkia Skrapar në bashkëpunim me Kompaninë 2T bënë të mundur pastrimin e segmentit rrugor nga kthesa e Vërzhezhës deri ne hyrje të qytetit. Gurët dhe dherat e shumtë te shkaktuar nga reshjet e ditëve të fundit e kishin vështirësuar së tepërmi lëvizjen e mjeteve në këtë segment rrugor, i cili përdoret më së shumti nga bizneset që operojnë në Skrapar. Faleminderit Kompanisë 2T për bashkëpunimin dhe gatishmërinë.

 

   

    

Takimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave

Bashkia Skrapar  dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkruan në datën 03.06.2021, Marrëveshjen e Bashkëpunimit për hapjen e Këndit Arkivor në shërbim së studiuesve të  Skraparit.

 

📌 Këndi Arkivor Skrapar është hapur në ambientet e bibliotekës së qytetit.

 

📌 Në hapjen e këtij Këndi Arkivor, të pranishëm ishin Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Prof.As.Dr. Ardit Bido, Kryetari i Bashkisë Skrapar Z. Adriatik Mema, Drejtore e Arkivit për Qarkun Berat Znj. Estela Gjoka,  dhe Përgjegjsia  e Qendrës Kulturore “Riza Cerova” Znj. Zylçe Hoxha, etj.

 

📌 Për ata që do të kërkojnë shërbimin që ofrohet në Këndin Arkivor Skrapar, procedurat janë të njëjta si në sallën e studimit në Tiranë, pa asnjë ndryshim.

 

📌 Në këtë kënd, përmes kësaj platforme, çdo person i interesuar, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i shtetit shqiptar,  pa qenë e nevojshme të udhëtojë drejt sallës së studimit të DPA-së.

 

📌 DPA fton çdo qytetar që të përfitojë nga ky shërbim i ofruar duke respektuar rregullat e saj. Këndi Arkivor shërben vetëm për arsye studimore. Nëse dëshironi dokument        pronësore, amza shkollore, vjetërsi pune e dokumente të tjera biografike, duhet të bëni aplikim pranë Postës Shqiptare ose në faqen kerkesa.arkiva.gov.al, jashtë Këndit Arkivor. Studiuesi gjatë kohës që shfrytëzon Këndin Arkivor është i detyruar të zbatojë rregulloren e Bibliotekës së qytetit të Skraparit.

 

📌 Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet nga çdo kompjuter me lidhje me internet, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë   pune, do të pajiseni në email-in tuaj me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jeni regjistruar, mund të porosisni dosjet që dëshironi të konsultoni, si në këtë Kënd Arkivor, ashtu edhe në çdo kompjuter tjetër që ka lidhje me internet, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Dosjet e porositura nga ju do të shërbehen ditën që keni përzgjedhur në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune. Nëse dëshironi të porosisni kopje dixhitale të një ose disa dokumenteve, ndiqni udhëzimet që ofron sistemi, përfshi edhe mënyrat e pagesës.