Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: Eugen

Ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi”, ( pas vdekjes), Z.Mustafa Dervishi

Në sallën e mbledhjeve, të Këshillit të Bashkisë Skrapar, u zhvillua  ceremonia e dhënies së Titullit “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) Z. Mustafa Dervishi.

Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë të Z. Dervishi, anëtarë të Këshillit të Bashkisë, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Z. Fadil Nasufi, specialistë  të bujqësisë, kolegë të Z.  Mustafa Dervishi, ish  Rektori i  Universitetit Bujqësor Kamëz, Prof. Dr. Bari Musabelliu, Prof. Dr. Sherif Bundo, Prof. Asoc. Dr  Hysen Binjaku,  qytetarë të Skraparit etj.

Ceremonia u hap nga Kryetari i Bashkisë Skrapar, Z. Adriatik  Mema, i cili, vlerësoi figurën e Z. Dervishi si,  “Përfaqësuesi më i denjë, i atij brezi agronomësh, të cilët vunë gjithë dijen e tyre, pavarësisht kushteve të vështira që ky profesion dikton;  punuan me pasion, përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha në funksion të zhvillimit bujqësor, jo vetëm në Skrapar,  por kudo ku u caktuan”. Më tej,  Z. Mema shtoi se tek, “Z. Mustafa bashkoheshin agronomi, specialisti me kualifikim të lartë, punonjësi kërkimor, drejtuesi vizionar, i përunjur dhe modest në çdo pozicion pune që shërbeu, si dhe qytetari e familjari model”.  Titulli “Qytetar Nderi i Skraparit”(pas vdekjes), iu dorëzua familjarëve nga Znj. Edlira Shkëmbi, Kryetare e Këshillit Bashkiak, Skrapar.

Ceremonia u bë edhe më e plotë në sajë të pjesëmarrjes dhe përshtypjeve që ndanë  të ftuarit me  të pranishmit, momente kujtimesh me shumë vlerë, nga puna dhe njohja që kanë patur  me Z. Dervishi.  Në fjalën e tyre të mbylljes, familjarët e Z.Mustafa Dervishi, shprehën vlerësimet dhe mirënjohjen e thellë, për këtë akt qytetar nga Bashkia Skrapar.

Ambasada e Japonisë dhuron 139 tituj librash për bibliotekën e qytetit

Ditën e sotme në mjediset e Ambasadës së Japonisë në Tiranë u zhvillua një ceremoni modeste gjatë së cilës u dhuruan 139 tituj librash, ne gjuhen angleze, për bibliotekën e qytetit të Çorovodës, në kuadër të projektit “Read Japan”.

Ky fond librash, vjen si një dhuratë e çmuar, për lexuesit, duke iu dhënë atyre mundësinë të njihen nga afër me kulturën, artin, letërsinë  dhe qytetërimin japonez, si pjesë  e rëndësishme e qytërimit botëror. Ambasadori i Japonisë, Sh. T. Z. Takada Mitsuyuki, në fjalën e tij pasi vlerësoi bashkëpunimin dhe partneritetin e vendosur me Bashkinë Skrapar, shprehu gatishmërinë për ta vazhduar këtë bashkëpunim me projekte konkrete në të ardhmen.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Skrapar z. Adriatik Mema, shprehu mirënjohjen për këtë donacion i cili mbart një simbolikë të veçantë, si dhe asistencën e dhënë nga qeveria Japoneze, duke ndihmuar dukshëm në rritjen e kapaciteteve logjistike sa i takon administrimit të mbetjeve urbane dhe pastërtisë në qytet. Të dy palët shprehën dëshirën për ta vazhduar, këtë bashkëpunim, në projekte të tjera të përbashkëta, në të ardhmen e afërt, në funksion të rritjes së standardit të shërbimeve ndaj komunitetit.

Ambasada e Japonisë dhuron 139 tituj librash për bibliotekën e qytetit

Dita Botërore e Pastrimit

Në Ditën Botërore të Pastrimit, Bashkia Skrapar, strukturat vartëse të saj në  bashkëpunim me Projektin e Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta në Qarkun Berat, në kuadër të  nismës  “Qyteti më i Pastër”,  organizoi aksionin për pastrimin  e qytetit nga mbetjet.

Aksioni u zhvillua përgjatë rrugës së kanioneve të lumit Osum, sheshet  dhe hapësirat midis  pallateve të qytetit, si  dhe disa rrugë të brendshme në qytet.

Këtij aksioni iu  bashkuan vullnetarë të të gjitha moshave, të rinj e të reja të shkollës së mesme, si dhe  nxënës të shkollave 9 vjeçare, të cilët u bënë pjesë e pastrimit të territoreve ku  ata luajnë.

Bashkia Skrapar falenderon të gjithë ata që morën pjesë ne këtë ditë aksioni dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët të kontribuojnë për një qytet sa më të pastër, për ta bërë atë gjithnjë e me shumë tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.

 

        

5 Shtatori – Dita e çlirimit të Skraparit

U përkujtua sot 79 vjetori i çlirimit të Skraparit. Bashkia Skrapar, në bashkëpunim me Organizatën e  Veteranëve të LANÇ të Skraparit, organizoi sot një ceremoni përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Anti Fashiste Nacional – Çlirimtare. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Bashkisë, drejtues të saj, përfaqësues të Prefekturës, veteranë, pasardhës të familjeve të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë. Të pranishmit vendosën kurora dhe buqeta me lule në nderim të veprës së pavdekshme të atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Kryetari i Bashkisë z. Adriatik Mema solli kontributin e shkëlqyer të bijve dhe bijave të Skraparit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm për çlirimin e Skraparit, por të gjithë Shqipërisë. Vepra dhe sakrificat e tyre, tha ndër të tjera z. Mema, do të nderohen përjetësisht. Skrapari është krenar për historinë dhe kontributin e çmuar në luftën për çlirimin e vendit. Në vijim, z. Mema theksoi nevojën për të shndërruar gjithë ansamblin ku sot janë vendosur varrezat  e dëshmorëve dhe muzeu i rrethit në një zonë e cila duhet të jetë në lartësinë e veprës së dëshmorëve që prehen në këto varreza. Për këtë, shtoi ai, Bashkia në bashkëpunim me aktorë të tjerë, do të bëjë të mundur hartimin e një projekti i cili synon rikonceptimin e gjithë kësaj hapësire. Viti që vjen, shtoi z. Mema, shënon edhe 80 vjetorin e çlirimit të Skraparit, ndaj dhe Bashkia së bashku me organizatën e veteranëve të LANÇ, do të fillojë sa me parë përgatitjet për festimin me madhështi të këtij përvjetori.

Nderim dhe mirënjohje për jetë dëshmorëve të Skraparit.

       

Nis rehabilitimi i rruges se Prishtes

Nis rehabilitimi i rrugës së Prishtës, shëmbull i shkëlqyer i bashkepunimit të Bashkisë me komunitetin

Solidariteti shoqëror duket se po rikthehet në Shqipëri.
Banorët e fshatrave Prishtë, Rehovicë dhe Dorës në Bashkinë e Skraparit, po e kthejnë në realitet atë që autoritetet shtetërore e kanë premtuar, por nuk e realizuan gjatë 30 viteve të tranzicionit të tejzgjatur që po kalon Shqipëria pas rënies së regjimit komunist. Ata janë bashkuar dhe po punojnë për rindërtimin e rrugës Çorovodë- Prishtë. 
Prej mijëra vitesh, kjo rrugë ka qenë dëshmitare e kalimit të udhëtarëve, karvaneve të mallrave,  pelegrinëve bektashinj e luftëtarëve në kohëra të ndryshme. 
Rruga ka lidhur zonën me disa prej qendrave të rëndësishme të jugut si Përmetin, Gjirokastrën dhe Beratin, dhe siç shprehen banorët ka qenë dëshmitare e jetës, gëzimeve dhe hidhërimeve të tyre. 
Ndoshta është kjo arsyeja që banorët e Prishtës, Rehovicës dhe Dorës e konsiderojnë atë si një monument dhe duan të rikthejnë lavdinë e saj. 
Banorët vendas, por më së shumti të banorë të larguar nga këto fshatra, kanë bërë të mundur mbledhjen e një fondi të konsiderueshëm prej 2.6 mln lekësh për të rikthyer jetën dhe historinë e rrugës.

Banorët kanë siguriuar 750 metër kub material rërë bituminoze dhe 80 metër kub çakull, ndërsa Bashkia e Skraparit ka vendosur në dispozicion punonjës të ndërmarrjes së shërbimit dhe mjete të rënda. 
Prej tri ditësh rruga Çorovodë- Prishtë, 8.5 kilometra e gjatë është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Në gjithë gjatësinë e saj po kryhen punime në hapjen e kanaleve kullues, shtrimin dhe nivelimin e çakullit si dhe hedhjen e rërës bituminoze. 
Nisma e banorëve të tri fshatrave Prishtë, Rehovicë dhe Dorës, është një nismë e rrallë në Shqipëri për vitet që po jetojmë. Ajo po përshëndetet nga mjaftë dashamirës dhe sidomos nga banorët emigrantë të zonës. Shumë prej tyre që kanë mbërritur për pushimet verore në vendlindje, janë zotuar se do të ndihmojnë që rruga të vazhdojë më tej. 

Rruga e cila nis nga ura e Blezënckës mbi Kanionin e famshëm të Osumit, lidh edhe 16 fshatra të tjerë të Bashkisë së Përmetit, Këlcyrës dhe Beratit. Në pak kilometra të saj gjen asete dhe monumente të rëndësishme arkeologjike, fetare dhe natyrore. 
Në inisiativen e tyre, banorët e kësaj zone synojnë të përfshijnë jo vetëm Bashkinë e Skraparit, por edhe Ministrinë e energjisë dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Ata u kanë bërë thirrje titullarëve më të lartë të këtyre dikastereve që të bashkohen në këtë nismë për ti ndihmuar në finalizimin e shtrimit të rrugës. 
Banorët po punojnë që rruga të jetë gati më 18 Gusht, kur ata dhe banorët e zonave fqinje dhe me gjerë të festojnë tek Teqeja e Prishtës si çdo vit çeljen e Peligrinazhit në Malin e Tomorrit.