Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: Eugen

Ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit” Z. Pëllumb Pipero

Në sheshin qendror të qytetit të Çorovodës, në datën 18.09.2020, u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për Prof. Dr. Pëllumb Pipero. Ky titull ju dha me propozim të Kryetarit të Bashkisë Skrapar, Z. Adriatik Mema, miratuar me Vendim Nr. 24, datë 28.05.2020, të Këshillit të Bashkisë. Në këtë ceremoni përveç qytetarëve të shumtë të Skraparit, ishin të pranishëm edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë Z. Spartak Braho dhe Z. Fadil Nasufi, Prefekti i Qarkut Berat Znj. Valbona Zylyftari, Kryetari i Këshillit të Qarkut Z. Donald Molishti, Kryetarët e Bashkive Ura Vajgurore dhe Poliçan Znj. Juljana Memaj dhe Z. Adriatik Zotkaj, Nënkryetari i Këshillit të Bashkisë Z. Besnik Demko, anëtarë të Këshillit të Bashkisë, qytetarë të Skraparit si dhe mjekë e familjarë të Dr. Piperos.

  • Pëllumb Pipero, u lind në 23 Prill 1956, në Skrapar. Ai rrjedh nga një familje me emër në zonën e Tomorricës. Në vitin 1965, familja e tij shpërngulet për në qytezën e Vorës, në afërsi të Tiranës. Këtu, Z. Pipero, përfundoi arsimin tetë-vjeçar dhe më pas atë të mesëm, të cilin e kreu me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1977, ai filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, të cilin e përfundoi gjithashtu me rezultate të shkëlqyera.  Më pas, ai do të nisë një karrierë të larmishme profesionale, si mjek dhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. I specializuar në fushën e sëmundjeve infektive, ai do të mbajë, po ashtu, edhe detyra të rëndësishme në Institutin e Shëndetit Publik, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke mos ju ndarë asnjëherë punës së tij akademike si pedagog. Ai është anëtar dhe kryesues i një sërë organizatash profesionale në fushën e mjekësisë, ku do të veçonim anëtarësinë e tij në Bordin e Akreditimit dhe Certifikimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, Kryetar i Komitetit  Kombëtar të Luftës kundër Kancerit, Kryetar i Taks Forcës për Strategjinë e Edukimit në Vazhdim, Koordinator Kombëtar i Projektit të Telemjekësisë në Shqipëri,

Në fjalën e tij të rastit Kryetari i Bashkisë Skrapar Z. Mema  duke vlerësuar rolin e mjekëve si dhe rolin e spikatur të Dr. Pipero, në përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19,  theksoi: “Të gjithë jemi dëshmitar të kontributit të tyre profesional dhe human, të punës së tyre deri në kufijtë e lodhjes së tejskajshme, për t’ju shërbyer të prekurve nga ky virus, për të ndihmuar ata që vuajnë, për të shpëtuar jetë njerëzore. Në asnjë moment nuk u dorëzuan, por me shërbimin e tyre, u bënë inkurajimi më i madh për gjithë shoqërinë. Ndër ta është dhe Prof. Dr Pëllumb Pipero, i cili me punën e tij, në ndihmë të pacientëve të prekur, në artikulimet e tij publike, me këshillat e tij të çmuara dhe shumë profesionale, u bë shpejt njeriu që përçonte qetësi dhe siguri tek të gjithë qytetarët në mbarë vendin.”

Në vijim z. Mema shtoi se:  “Përgjatë atyre ditëve të vështira, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë, kam marrë shumë telefonata dhe mesazhe, nga qytetarë këtu në Skrapar, nga Skraparllinj që jetojnë ne Tiranë, Durrës, Vlorë dhe gjetkë, por edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët kishin dijeni për origjinën e Doktor Piperos, të profesioneve nga më të ndryshmet, të cilët me dashamirësi kërkonin t’i paraqisja Këshillit të Bashkisë Propozimin për të nderuar Dr. Piperon, për gjithçka ju Doktor po bënit ditë pasdite në mënyrë aq intensive, me aq përkushtim dhe dashuri, gjithë ditën në spital dhe në mbrëmje deri vonë në studio e TV, në komunikimin me publikun.”

Kryetari i Bashkisë Skrapar, shprehu mirënjohjen për Kryeministrin Rama, i cili mbështeti fort këtë zë të qytetarëve, si dhe Këshillin e Bashkisë anëtarët e të cilit e votuan me unanimitet këtë propozim.

Nënkryetari i Këshillit të Bashkisë Z. Besnik Demko, i dorëzoi Prof. Dr. Piperos Certifikatën e titullit “ Qytetar Nderi”, me motivacion “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike përgjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive si dhe për kontributin e çmuar profesional e publik në përballimin e situatës së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19”.  Z. Demko në fjalën e tij të rastit theksoi se: “Ky është i pari titull që ky Këshill Bashkie jep në këtë mandat të tijin.” Ai shprehu mirënjohje dhe falënderime për Dr. Piperon, për kontributin e dhënë gjatë përballimit të pandemisë së Covid-19.

 

Në këtë ceremoni, në fjalën e tij përshëndetëse Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi falënderoi Kryetarin e Bashkisë Skrapar për propozimin dhe Këshillin e Bashkisë, si dhe shprehu mirënjohje të panumërta për punën e palodhur të Qytetarit të Nderit Prof. Dr. Pëllumb Pipero ku theksoi : “Sa mirë që sot jemi mbledhur për të vlerësuar një punë të një mjeku, një punë të një njeriu të ndershëm që përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm, një lodhje dhe një sakrificë të madhe të një gjenerate që e quajtën gjenerata e atyre që i shërbyen luftës kundër armikut të padukshëm. Shumë Faleminderit Doktor për qetësinë e madhe që ju dhatë njerëzve, dhe shume faleminderit ju dhe kolegëve tuaj në spital që vazhdoni të luftoni edhe sot pa pyetur për jetën tuaj. Është një sakrificë e madhe, e njerëz të thjeshtë duan shumë t’ju puthin duart. Në emër të tyre dhe në emër të kolegëve tim deputetë, Shumë Faleminderit për kontributin e dhëne për të promovuar ketë ndjenjë të madhe Solidariteti”.

 

 

Fjala e Kryetarit të Bashkisë në Ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit” Z. Pëllumb Pipero

Të nderuar Zonja dhe Zoti Pipero,

Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Blendi Klosi, Z. Spartak Braho, Z. Fadil Nasufi,

E nderuar Prefekte e Qarkut Berat, Znj. Vabona Zylyftari,

I nderuar Kryetar i Këshillit të Qarkut Berat, Z. Donald Molishti,

E nderuar Kryetare e Bashkisë Ura Vajgurore, Znj. Juliana Memaj,

I nderuar Kryetar i Bashkisë Poliçan, Z. Adriatik Zotka

Të nderuar Anëtarë të Këshillit të Bashkisë,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

 

Teksa qytetarët në të gjithë vendin u gjendën përballë një situate të vështirë dhe komplekse, për shkak të përhapjes së COVID 19, teksa Qeveria e Kryeministrit Rama, spitalet dhe institucionet shëndetësore ishin dhe janë  të gjithë në këmbë dhe në gatishmëri, për t’i bërë ballë këtij armiku të padukshëm, por të kthyer në një kërcënim tepër serioz për jetët njerëzore në gjithë globin, janë bluzat e bardha, mjekët, infermierët dhe gjithë personeli tjetër mjekësor, të cilët të rreshtuar në frontin e parë të kësaj lufte, me punën e tyre, sakrificën, përkushtimin, dashurinë për njerëzit, u shndërruan në heronjtë e vërtetë të përballimit të kësaj situate të pazakontë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të kontributit të tyre sa profesional dhe human, të punës së tyre deri në kufijtë e lodhjes së tejskajshme,  për t’ju shërbyer të prekurve nga ky virus, për të ndihmuar ata që vuajnë, për të shpëtuar jetë njerëzore. Në asnjë moment nuk u dorëzuan, por me shërbimin e  tyre, u bënë inkurajimi më i madh për gjithë shoqërinë.

Ndër ta, është edhe Prof. Dr. Pëllumb Pipero, i cili me punën e tij, në ndihmë të pacientëve të prekur, me artikulimet e tij publike, me këshillat e tij të çmuara dhe shumë profesionale, u bë shumë shpejt njeriu që përçonte qetësi dhe siguri tek të gjithë qytetarët, në mbarë vendin.

Dhe ndërsa çdo ditë informohemi se si progreson pandemia, numri i të infektuarve dhe atyre të shëruarve, qytetarët, në jo pak raste, prisnin dhe presin mbrëmjen përpara televizionit për të dëgjuar se çfarë do të thotë Dr. Pipero, apo kolegë të tij të nderuar. Dinjitoz në çdo dalje publike.

Përgjatë atyre ditëve të vështira, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë, kam marrë shumë telefonata dhe mesazhe, nga qytetarë këtu në Skrapar, nga Skraparlinj që jetojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe gjetkë, por edhe qytetarë të tjerë, të cilët kishin dijeni për origjinën e doktor Piperos, të profesioneve nga më të ndryshmet, (dhe kanë qenë jo pak) të cilët me dashamirësi më kërkonin t’i paraqisja Këshillit të Bashkisë propozimin për të nderuar Dr. Piperon, për gjithçka ju doktor, po bënit ditë pas dite në mënyrë aq intensive, me aq përkushtim dhe dashuri, gjithë ditën në spital dhe në mbrëmje deri vonë në studio e TV, në komunikimin me publikun.

Të dyja pjesë e së tërës, pjesë e një kontributi të jashtëzakonshëm që ju dhe kolegët tuaj po jepni në përballimin e kësaj pandemie të rrezikshme. Shoqëria ju është shumë në borxh dhe u është mirënjohëse ju dhe kolegëve tuaj. Puna dhe kontributi juaj do të mbahen mend gjatë.

Jam shumë i lumtur, të jem unë ai që materializova një dëshirë kaq kuptimplote të qytetarëve për t’ju nderuar ju me titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”. Po kaq i jam mirënjohës Kryeministrit Rama, i cili e mbështeti fort këtë zë të qytetarëve, si dhe Këshillit të Bashkisë, anëtarët e të cilit, e votuan me unanimitet këtë propozim.

Është ky një akt qytetarie, për gjithë sa përmenda më sipër, për të nderuar jo thjesht një mjek për nga profesioni, por edhe një personalitet publik si ju, doktor Pipero, për gjithçka ju keni bërë për gjatë gjithë karrierës tuaj, në ndihmë të shoqërisë, në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Keni qenë ju, që çdo ditë të karrierës tuaj, me punën tuaj fisnike, kudo ku kini shërbyer, kini bërë krenar familjen tuaj, dhe gjithë derën e mirë dhe me emër të Piperove, i kini bërë nder qytetarëve të Skraparit dhe më gjerë. Akti i sotëm i Këshillit të Bashkisë është një vlerësim i lartë qytetar për ju.

Skrapari, është me fat të ketë nxjerrë, mjekë si ju, dhe falë zotit jeni të shumtë në numër, që kudo ku kini shërbyer, me profesionalizmin që keni treguar, keni lartësuar jo vetëm emrin tuaj, por i kini dhënë vlera edhe vendit tuaj të origjinës.

Si qytetarë të Skraparit, më besoni seç na përshkon një ndjesi e veçantë, kur për njerëz si ju, doktor, themi me plotë gojën “epo.. është nga Skrapari, ai”, dhe duke thënë këtë, madje me shumë mburrje, duket sikur u marrim edhe një pjesë të suksesit tuaj.

I dashur Doktor Pipero,

Ndërsa po dëgjon këto fjalë të mijat, po shkon me shpejtësi nëpër mendje, gjithë historinë tënde dhe të familjes tënde. Kohën kur fëmijë u largove nga Vishanji, këtij fshati që ju dhe të tjerë si ju, i kini dhënë emër të mirë, vështirësitë e një transferimi pranë Tiranës për një familje të madhe si juaja, po kujton vitet e shkollës se mesme dhe Universitetin, të dy ciklet të mbaruara me rezultate të shkëlqyera, vitet e punës, pse jo edhe peshën që ke mbajtur në familje, si më i madhi i fëmijëve.

Çdo vështirësi e shpërblyer në sukses, vetëm nëpërmjet punës dhe përkushtimit. Po kujton, besoj, se sa i ke gëzuar të afërmit tënd në çdo hap që ke hedhur, brengën e madhe që nëna juaj, e ndarë nga jeta në moshë shumë të re, nuk ishte me ju të gëzonte sukseset e djalit të madh të shtëpisë. Jam i bindur që çdo gjë ke arritur dhe bërë, e kë bërë edhe për atë.

Dhe ja ku jemi sot këtu, qytetarë të Skraparit, deputetë, kolegë tuajët, këshilltarë të gjithë këtu së bashku, për të shprehur vlerësimin tonë për ju. Ju e meritoni plotësisht këtë titull, Doktor. Ju jeni tashmë më i riu Qytetar Nderi i Skraparit, një titull që ju bën nder ju, familjes tuaj, dhe në të njëjtën kohë gjithë Skraparit, vendit tuaj të origjinës dhe gjithë Skraparllinjve.

Jam i sigurt, se ju do të jeni edhe më i motivuar, që me mirësinë që ju karakterizon, të vazhdoni t’ju shërbeni me pasion dhe dashuri njerëzve në nevojë. Bashkëshortja dhe fëmijët tuaj, vëllezër e motra, kanë qenë dhe, padyshim, do të jenë krenarë me ju.

Dëshiroj ta mbyll këtë fjalë timen, më një perifrazim të një filozofi të lashtë, Seneca. “Shoqëria i paguan mjekët për t’i shëruar nga sëmundja që kanë, ndërsa për mirësinë që ata tregojnë, u është në borxh”.

Kjo pandemi e rrezikshme, e vërtetoi më së miri këtë të dytën. Doktor Pipero, shoqëria jonë u mbetet në borxh, ju dhe kolegëve tuaj. Me aktin e sotëm, Bashkia dhe Këshilli i Bashkisë, mbase, po shlyen një pjesë të këtij borxhi.

Ju faleminderit të gjithëve që na u bashkuat në këtë ceremoni modeste.

Kryetari i Bashkisë Z. Adriatik Mema, i jep Çertifikatë Mirënjohje aktores Ermelinda Shuka (Hidërshaj)

Kryetari i Bashkisë Z. Adriatik Mema, i jep Çertifikatë Mirënjohje aktores Ermelinda Shuka (Hidërshaj)

Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Bashkisë Skrapar, aktores Ermelinda Shuka (Hidërshaj) iu dorëzuar Çertifikata e Mirënjohjes akorduar nga Kryetari i Bashkisë, në vlerësim të lartë të arritjeve të saj profesionale dhe artistike si dhe kontributit të saj të çmuar në promovimin e vlerave më të mira të Skraparit, brenda dhe jashtë vendit.

Ermelinda Shuka, u lind më 30 maj 1976, në Çorovodë, Skrapar. Këtu, ajo mori mësimet e para dhe kreu shkollën e mesme të përgjithshme. Në vitin 1995, ajo fillon studimet ne Universitetin e Arteve, Tiranë,  në degën e aktrimit dhe diplomohet në vitin 1999.

Që gjatë kohës së studimeve në Akademinë e Arteve, ajo filloi të angazhohej në Radio Televizionin Shqiptar, në programin e mëngjesit me regji të Ylli Pepos.

Në verën e vitit 1999, Ermelinda u transferua në Londër, ku edhe sot jeton me familjen e saj. Në vitin 2011, ajo mbaron studimet në degën Kontabilitet dhe Financë, në Metroloitan University, Londër.

Prezantimin e parë në Londër, ajo e bën në BBC që në vitin 2010, si pjesë e “The Archers”, radiodrama me e vjetër dhe me e dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkëpunimi i saj me BBC vazhdon më pas me radiodrama të tjera të cilat janë vlerësuar me çmime të ndryshme.

Me pas, Ermelinda u bë pjesë e filmit dhe televizionit në Mbretërinë e Bashkuar,  si aktore dhe pjesë e produksioneve si “Hiena” në vitin 2014, “Darka” po në vitin 2014, dhe deri tek së fundmi në serinë televizive më të shikuar në Mbretërinë e Bashkuar, e titulluar “Bandat e Londrës”.

Në këtë film, ajo luan rolin e Mirlindës së bashku me bashkëshortin, Orli Shuka, i cili luan rolin e Luan Dushës. Tashmë ajo dhe bashkëshorti janë gati për t’u bërë pjesë në serialin e dytë të po këtij filmi.

     

Njoftim – Mbi Afishimin Publik të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Bashkinë Skrapar

Në bazë të Ligjit nr 111/2018 “Për Kadastrën” per Regjistrimin Fillestar të Pasurive të Paluajtshme Pyje dhe Kullota, në emër te Bashkisë SKRAPAR, Zonat Kadastrale:

  1. ZK 1069, Backë
  2. ZK 1102, Barc
  3. ZK 1103, Barc Mal
  4. ZK 1373, Cerenisht
  5. ZK 1385, Cerovë
  6. ZK 1419, Corotat
  7. ZK 1420, Corovodë
  8. ZK 1603, Faqekuq
  9. ZK 1633, Floq-Rehovë
  10. ZK 1735, Gjergjovë
  11. ZK 1750, Gjogovicë
  12. ZK 1818, Gostenckë
  13. ZK 1835, Gradec Qëndër
  14. ZK 1855, Gremsh
  15. ZK 1856, Grepckë
  16. ZK 1860, Grevë
  17. ZK 1888, Gurazezë
  18. ZK 1949, Helmës-Staraveckë
  19. ZK 2000,Jaupas
  20. ZK 2035, Kalanjas
  21. ZK 2079, Kapinovë
  22. ZK 2222, Koprenckë
  23. ZK 2266, Krastë
  24. ZK 2285, Krushovë
  25. ZK 2304, Kuc
  26. ZK 2389, Lavdar
  27. ZK 2423, Leshnjë
  28. ZK 2428, Leskovë
  29. ZK 2464, Liqeth
  30. ZK 2642, Melckë
  31. ZK 2645, Melovë
  32. ZK 2718, Mollas
  33. ZK 2756, Muzhak
  34. ZK 2798, Nikollarë
  35. ZK 2803, Nishicë
  36. ZK 2844, Osojë
  37. ZK 2920, Përparim
  38. ZK 3035, Postenë
  39. ZK 3037, Potom
  40. ZK 3050, Prishtë
  41. ZK 3076, Qafë
  42. ZK 3112, Qeshibesh
  43. ZK 3138, Radesh
  44. ZK 3190, Rogë
  45. ZK 3200, Rovicë
  46. ZK 3274, Selan
  47. ZK 3310, Sevran i vogël
  48. ZK 3520, Strafickë
  49. ZK 3525, Strënec
  50. ZK 3596, Therepel
  51. ZK 3662, Turbohovë
  52. ZK 3731, Veleshnjë
  53. ZK 3738, Velush
  54. ZK 3741, Vendreshë Mal
  55. ZK 3785, Vishanj
  56. ZK 3788, Visokë
  57. ZK 3868, Zabërzan I ri
  58. ZK 3889, Zaloshnjë
  59. ZK 3946, Zogas

Në bazë te nenit 31 “Konsultimi Publik” është duke u kryer Regjistrimi Fillestar i Pasurive të Paluajtshme Pyje dhe Kullota , të regjistruara dhe Harta Treguese e Regjistrimit, për një periudhë kohe prej 45 ditësh. Periudha e afishimit do të jetë nga data 29.07.2020 – 13.09.2020 

Afishimi publik do të bëhet në adresën: Ambjentet e Bashkisë SKRAPAR. 

Nga e Hëna në të Premte: nga ora 10.00 në 13.00 dhe nga ora 14.30 në 19.00 

E Shtuna dhe e Diela: nga ora 10.00 në 16.00 

I lutemi qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, të cilat zotërojnë pasuri të paluajtshme brënda kësaj zone kadastrale te drejtohen në ambiente e Afishimit Publik të Pasurive të Paluajtshme dhe të verifikojnë pronësinë e tyre ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme.

Të gjitha pretendimet duhet të paraqiten brënda afatit të Afishimit, pranë këtij ambienti dhe specialistit të ngarkuar me këtë detyrë. Shqyrtimi i tyre, gjatë periudhës së Afishimit Publik është falas.

Ju rikujtojmë të mos neglizhoni për të bërë verifikimet e nevojshme.

Bashkia Skrapar rrit kapacitetet e saj logjistike në administrimin e mbetjeve

Dita e sotme shënon konkretizimin e kontratës së nënshkruar në 7 Shkurt 2020, me Shkëlqesinë e Tij Z. ITO Makoto, Ambasador i Japonisë në Shqipëri, përmes së cilës Bashkia Skrapar përfitoi një grant prej 76.320 (shtatëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e njëzetë) Euro, akorduar nga Qeveria Japoneze. Përpjekja jonë për një qytet më të pastër dhe administrim cilësor të mbetjeve do të lehtësohet së tepërmi, duke rritur kapacitetet tona me një mjet të ri të grumbullimit të mbetjeve, si dhe 103 kontenierë, të siguruara nëpërmjet këtij granti.

Në emër të Bashkisë Skrapar dhe të të gjithë komunitetit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadën e Japonisë në Tiranë, për Ambasadorin ITO Makoto dhe nëpërmjet tyre për Qeverinë Japoneze për këtë ndihmë me shumë vlerë, në kuadër të programit “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal”.

Nga sot, flamuri Japonez dhe logoja kuptimplote “From the people of Japan” do të jenë të pranishëm në rrugët e qytetit nën “shoqërinë” e logos së Bashkisë Skrapar, si dhe të një peizazhi të mrekullueshëm të kanioneve të Osumit.

Aq sa jam vlerësues për ndihmën e dhënë, po aq vlerësoj edhe fillimin e një bashkëpunimi të shëndetshëm me Ambasadën e Japonisë, i cili do të vijojë edhe me projekte të tjera, që ne si Bashki do të zhvillojmë në të ardhmen.

Është vërtetë kënaqësi të shohësh se si harta e ndihmës Japoneze në Shqipëri vjen duke u zgjeruar, jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe sa i takon natyrës së projekteve që Ambasada Japoneze ka financuar, duke iu përgjigjur kësisoj nevojave të komuniteteve të ndryshme.

Ndërsa Bashkia Skrapar është ndër Bashkitë që përfiton nga ndihma bujare e popullit Japonez, është detyrë e jona si Bashki të promovojmë Japoninë tek qytetarët tanë. “Të mendosh për të tjerët” është një nga vlerat themelore të shoqërisë Japoneze. Kjo ndihmë që po n’a dorëzohet sot, është reflektim i shkëlqyer i kësaj vlere, krahas shumë të tjerave që e kanë bërë këtë vend kaq të zhvilluar dhe të begatë sot në botë.

Së fundi, dëshiroj të falënderoj stafin lokal të Ambasadës së Japonisë, stafin e Bashkisë si dhe kompaninë TIMAK, ndërveprimi profesional mes të cilëve, bëri të mundur realizimin në kohë dhe me cilësi të kësaj kontrate, të financuar nga Ambasada e Japonisë.