Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: Eugen

Të mbajmë një qytet të pastër dhe të gjelbëruar – ky është misioni ynë.

Në sajë të mbështetjes financiare të Ambasadës së Japonisë në Tiranë, Bashkisë Skrapar iu dorëzua një kamion (autobot) i ri, me kapacitet 7.5 ton, me kalueshmëri të lartë, i cili nga dita e sotme do të jetë në dispozicion të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Ky mjet do të përdoret për larjen e rrugëve, si dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në qytet. Po ashtu, në rast nevoje, ai do të përdoret edhe për furnizimin me ujë në zonat rurale të Bashkisë tonë.
Në ceremoninë e dorëzimit ishte i pranishëm Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Sh. T. Z. Takada Mitsuyuki. Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Bashkisë, z. Adriatik Mema, Ambasadori z. Takada, vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit me Bashkinë Skrapar, si rezultat i të cilave është bërë e mundur rritja e kapaciteteve logjistike në administrimin e mbetjeve urbane më qytet dhe fshatrat përreth.
Nga ana e tij, z. Mema i shprehu Ambasadorit falenderimet dhe mirënjohjen e veçantë për Ambasadën e Japonisë për këtë ndihmë të çmuar dhe bashkëpunimin e shkëlqyer e vendosur prej disa vitesh me Bashkinë Skrapar. Me këtë rast, në ambientet e Bashkisë, u çel edhe një ekspozitë fotografike nga Japonia, e cila u ndoq me shumë interes nga vizitorët, veçanërisht nga nxënësit e shkollave të qytetit. Ambasadori z. Takada, bëri me këtë rast një përmbledhje të marrëdhënieve Japoni – Shqipëri, në kuadrin e 100 vjetorit të tyre. Në mbyllje të veprimtarive të kësaj dite, ai vizitoi disa nga destinacionet turistike të Skraparit. Të dy palët ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit me projekte konkrete në të ardhmen.

80 vjetori i Çlirimit të Skraparit.

Si asnjëherë më parë “5 Shtatori”, që këtë vit shënon 80-Vjetorin e Çlirimit të Skraparit, u përcoll me një javë të mbushur me aktivitete festive, organizuar nga Bashkia Skrapar në bashkëpunim me sponsor të ndryshëm.

Fokusi ynë është buzëqeshja e fëmijëve. Andaj, fillimi i javës kulturore  nisi me një shfaqje të trupës së Cirkut Kombëtar, pasditen e të enjtes.  Me performancën e saj fantastike ajo dhuroi art, dashuri, përkujdesje dhe argëtim për të gjithë fëmijët e qytetit.

Veprimtaria kulturore e kësaj ditë pasoi me koncertin e organizuar në lagjen “5 Shtatori” të “All In Band”. Një performancë e shkëlqyer e kësaj bande, e cila u ndoq nga shumë qytetarë, të të gjithë grup moshave, bëri që të krijohej një atmosferë shumë e bukur dhe festive për të gjithë.

Pa shkëputur vëmendjen nga fëmijët, dita e dytë vijoi më një aktivitet me animatorë social, të zhvilluar në ambientet e kinemasë së qytetit. Ky aktivitet përcolli tek të gjithë fëmijët nëpërmjet lojërave dhe kërcimeve të ndryshme, shumë gëzim dhe argëtim.

Në ditën e tretë qyteti do të zgjohej sërisht me zërin e  ëmbël të fëmijëve, duke organizuar kështu finalen e projektit “Promovimi i talenteve të Skraparit”. Në bashkëpunim me Albania Event Production, fëmijë të Skraparit nxorën në pah dhe dhuruan një shfaqje të mrekullueshme nëpërmjet talentit të tyre për të gjithë qytetarët e Skraparit. Gjatë këtij spektakli, fëmijët pjesëmarrës u certifikuan si konkurentë zyrtarë të MISS&MISTER CHILDREN ALBANIA, i cili pritet të zhvillohet në 11 Shtator 2022. Shumë emocione dhe lumturi përcolli ky format për të gjithë.

Por kjo ditë nuk mbaroi këtu. Mbas këtij spektakli të dhuruar nga fëmijët e Skraparit, do të vazhdonte festa në lagjen “5 Shtatori”. Nëpërmjet një koncerti FOLK, nga grupi polifonik i këngës popullore të Skraparit u dhurua një atmosferë  festive për të gjithë qytetarët.

Dita pasardhëse do ti kushtohej rinisë së qytetit. Kështu, pasditen  e së dielës u organizua një festë në kanionet e Osumit, magjia e së cilës ishin vetë të rinjtë e qytetit dhe bukuria e rrallë e kanioneve.

Data e madhe historike “5 Shtator” nisi me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, gjatë të cilës autoritet vendore dhe jo vetëm, përkujtuan me nderim dëshmorët e rënë për çlirimin e Skraparit. Më pas,  në ambientet e muzeut historik të Skraparit u organizua  në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ Skrapar, një takim përkujtimor.

E veçanta e kësaj dite ishte pjesëmarrja e Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, të cilët dhuruan performancën  e tyre artistike përgjatë pedonales dhe sheshit qendror të qytetit.

Kulmin e saj kjo javë e mbushur me aktivitete e shënoi  me Maratonën “Kënge Moj”, e cila vjen për herë të parë në Skrapar me një koncert të jashtëzakonshëm, i cili u ndoq nga qindra banorë të Skraparit, të cilët festuan deri në orët e vona të mbrëmjes.

80-Vjet Çlirim

Festojmë bashkë nga data 1-5 Shtator!
#Festa_5_Shtator 🎉🎊
#Eja_në_Skrapar🙋🏻‍♂️
#Visit_Skrapar🇦🇱

Ekspozitë e piktorit Luan Hoxha

Në kuadrin e veprimtarive kulturore të organizuara nga Bashkia Skrapar, ditën e sotme u çel ekspozita e piktorit Luan Hoxha.

E veçantë e kësaj veprimtarie është se një ish mësues, një piktor i cili prej vitesh jeton në Londër, ku dhe ushtron profesionin e tij, kthehet në vendin e tij të lindjes për të hapur këtë ekspozitë shumë domethënëse.

Kontigjenti i veprave të ekspozuara përfshinte punime me motive të vendeve të ralla të Skraparit, që nga Çorovoda e vjetër e vitit 1939 e deri tek ajo e reja, peisazhe te kanioneve të lumit Osum, Urën e Kasabashit, Malin e Tomorrit, etj.

Ne çelje të kësaj ekspozite, ishin të pranishëm drejtues të Bashkisë Skrapar, piktorë si dhe qytetarë të shumtë, të cilët e përcollën me shumë interes këtë ekspozitë.

Në fjalën e tij përshëndetëse Z. Hoxha u shpreh se: – “Arsyeja që e hap këtë ekspozitë është nacionaliteti shqiptar. Jam shumë i lumtur të kthehem sot në qytetin tim, me këtë ekspozitë modeste, si shenjë e mirënjohjes për këtë qytet, ku u linda dhe u rrita. Falenderoj Bashkinë për gatishmërinë dhe kushtet që më krijoji për të bërë të mundur hapjen e kësaj ekspozite…”

Falenderojmë Z. Luan Hoxha për këtë inisiativë dhe për mesazhin e përcjellë për të gjithë ata që e duan artin dhe vendlindjen e tyre.

Festa e 1 Qershorit në Skrapar

Rikthehet në Skrapar Miss dhe Mister Lulja, një aktivitet që ka zënë prej vitesh një vend në kalendarin e festave.

Ky event dhuroi emocione të veçanta për fëmijët, prindërit dhe qytetarët e shumtë, në sajë të mirë organizimit nga Qendra Kulturore e Fëmijëve “Meleq Staravecka” në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Riza Cerova”, kopshtet dhe shkollat e qytetit.

Magjia e kësaj feste ishin fëmijët e shumtë, që e zbukuruan si asnjëherë më parë, sheshin qendror të qytetit, me talentet dhe bukurinë  e tyre.

Përveç festimit, ky event përcolli mesazhin e kujdesit të vazhdueshëm që prindërit, mësuesit dhe gjithë shoqëria duhet të tregojë për të ardhmen e këtyre fëmijëve.

Në përshëndetjen e tij, duke uruar festën e 1 Qershorit, Kryetari i Bashkisë theksoi se: “1 Qershori përveçse një ditë e shënuar për fëmijët duhet të jetë një ditë reflektimi dhe përgjegjësie për të bërë më shumë për këta fëmijë të mrekullueshëm. Të gjithë duhet të sakrifikojmë shumë sot, për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Vetëm kështu, ëndrrat e tyre do të bëhen realitet”.

Duke ju referuar konkurrimit Miss dhe Mister Lulja, Kryetari shtoi se: “Çdo fëmijë pjesëmarrës në këtë konkurrim dhe çdo fëmijë në këtë shesh është një lule në llojin e vetë, dhe të gjithë së bashku e bëjnë botën tonë një kopësht të bukur”.

Një falënderim i veçantë shkon për Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Meleq Staravecka”, Qendrën Kulturore “Riza Cerova”, kopshtet dhe shkollat e qytetit  që kontribuan për këtë event kaq të bukur dhe mbresëlënës.