Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: Eugen

Hapja e panairit me produktet bujqësore dhe artizanale, shënoi çeljen e sezonit turistik 2022 në Bashkinë Skrapar

Dita e sotme, përmes panairit të produkteve bujqësore dhe artizanale, organizuar në sheshin qendror të qytetit, shënoi edhe çeljen e sezonit turistik 2022 në Bashkinë Skrapar. Në një atmosferë festive të krijuar nga grupi folklorik dhe këngëtarë të Skraparit, ky panair i mirë organizuar deri në detaje, u vizitua nga qytetarë të shumtë, jo vetëm nga Skrapari, por edhe të tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.
Në fjalën e hapjes së këtij panairi, Kryetari i Bashkisë Z. Adriatik Mema, duke iu uruar mirëseardhjen të pranishmëve, theksoi se “ky panair është një mundësi shumë e mirë për të gjithë fermerët dhe prodhuesit e zonës të ekspozojnë, promovojnë dhe tregtojnë prodhimet e tyre bio dhe shumë cilësore, aq të kërkuara nga të gjithë.
Nga ana tjetër, kjo është një mundësi e shkëlqyer për këdo që dëshiron të kalojë një ditë ndryshe, për të shijuar bukuritë e rralla që natyra i ka falur Skraparit”.
Kanionet e Osumit por edhe bukuri të tjera do të mbeten si përherë destinacionet më të kërkuara nga vizitorët. Ata do të kalojnë një ditë ndryshe dhe të paharruar në Skrapar të rrethuar nga natyra e mrekullueshme, por edhe nga mirësia dhe mikpritja e veçantë e skraparlinjve.
Bashkia Skrapar në bashkëpunim me operatoret vendore do të beje çdo gjë të mundur për të pasur një sezon sa me të mirë turistik.
Ju mirëpresim në Skraparin tonë, të traditës, mikpritjes, gatimeve të shijshme dhe bukurive fantastike!

Çdo ditë është Dita e Tokës!

🌳 22 Prilli, Dita Botërore e Tokës është këtu përsëri, për të na kujtuar se kemi përgjegjësi që kalojnë  përtej shtëpisë tonë.  Është një ditë e veçantë për ti shprehur mirënjohjen tonë Planetit Tokë, i cili mbështet të gjitha format e jetës.

🏫🌳Në kuadër të Ditës së Tokës e cila na sfidon për të marrë seriozisht punën tonë si kujdestarë të mjedisit natyror, Bashkia Skrapar dhe institucionet në varësi të saj vepruan në emër të kësaj dite, duke organizuar aksionin e pastrimit të qytetit.

🍃Dita e Tokës na frymëzon për të menduar përtej mbijetesës sonë – për të vepruar në emër të këtij planeti që ne e ndajmë me të gjithë banorët e tjerë të tij.
🌏 E nëse Dita e Tokës na bënë të mendojmë se si mund të bëjmë të mundur që ajri që thithim dhe uji që pijmë apo mjedisi ku jetojmë është i pastër, atëherë ajo e ka bërë punën e saj.

Mesazh vlerësimi

Bashkia Skrapar falenderon kompaninë One Telecommunications për reagimin e saj të shpejtë në përgjigje të shqetësimit të prezantuar nga Bashkia dhe qytetarë të shumtë të Skraparit lidhur me spotin e saj promocional. Në saj të një komunikimi korrekt dhe mirëkuptues me stafin e kësaj kompanie u bë tashmë e mundur saktësimi i informacionit që ky spot përmbante.

Reagim i Kryetarit të Bashkisë, zotit Adriatik Mema, lidhur me spotin e Kompanisë One Telecommunications

Në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Skrapar, duke përcjellë edhe zërin e qytetarëve të Skraparit, por jo vetëm, kërkoj saktësimin e informacionit që përmban spoti publicitar i kompanisë One Telecommunications. Ky spot, i cili i “afron” kanionet e Osumit në qytetin e Beratit, është sa dezinformues,  aq edhe çorientues për vizitorët vendas apo të huaj. Natyra ia ka falur këtë bukuri unike Çorovodës, ashtu sikurse i ka falur Beratit bukuritë e tij të çmuara. Berati nuk ka aspak nevojë për këtë “dhuratë”, e cila i ofrohet nga spoti i kompanisë One. Jam i bindur se, qytetarët e Beratit ndihen të surprizuar nga kjo gjë.

Pozicionimi gjeografik i kanioneve, kjo e vërtetë e patjetërsueshme e natyrës, nuk mundet kurrsesi të sfidohet nga spote të tilla, sado të kushtueshme, tërheqëse apo impresionuese qofshin ato. Ndaj, çdo transmetim i mëtejshëm i këtij spoti, në formën që është sot, jo vetëm çorienton publikun, por edhe anashkalon promovimin e krahinës së mrekullueshme të Skraparit. Deri sa kjo të saktësohet, vizitorëve dhe admiruesve të bukurive të natyrës që Skrapari, ashtu si Berati, dëshirojnë të jenë sa më të shumtë këtë vit, ju them se, ju duhet të udhëtoni edhe 50 km më tej, për të shijuar kanionet e Osumit, këtë mrekulli natyrore të vendosur në SKRAPAR. Ja vlen vërtet ta bëni këtë gjë, nuk do të zhgënjeheni.

“Shiqiperi e Pastër, Skrapar i pastër”

Në zbatim të Planit Kombëtar të Pastrimit, dita e djeshme ka zhvendosur, për rreth dy orë, në terren stafin e Bashkisë Skrapar dhe të gjithë strukturat e saj vartëse. Aksionit të djeshëm iu bashkuan edhe institucione të tjera vendore, si: shërbimi spitalor, zyra vendore e arsimit, shërbimi parësor shëndetësor, etj. Ndërsa e veçanta e kësaj dite ishte pjesëmarrja e fëmijëve të kopshteve si dhe nxënësit e shkollave 9-Vjeçare dhe asaj të mesme të qytetit. Të gjitha grupeve pjesëmarrëse në këtë aksion, sipas një plani të përgatitur nga Bashkia, iu caktuan edhe zonat për pastrimin e të cilave këto grupe do të angazhoheshin. Kujdes i posaçëm u tregua në pastrimin e zonave përreth destinacioneve turistike, përreth objekteve shkollore, spitalore, ashtu si edhe segmenteve në hyrje të qytetit, apo blloqe banimi.

Mbajtja pastër e këtyre ambienteve mbetet një prioritet i Bashkisë, çka bëhet edhe më e domosdoshme me afrimin e sezonit turistik. Në këtë kontekst, Bashkia apelon të gjithë qytetarët, veçanërisht bizneset e shërbimit, të ndërgjegjësohen më shume dhe të tregojnë kujdes të shtuar në mbajtjen pastër të ambientit, kjo së pari në interes të shëndetit të banorëve por edhe mbarëvajtjes së bizneseve të tyre. Bashkia dhe të gjitha strukturat e saj do të vijojnë çdo ditë të jenë në terren në funksion të përmbushjes së detyrimeve për pastrimin pa asnjë vonesë të të gjitha ambienteve publike.

Bashkia gjen rastin të falenderojë të gjitha strukturat që morën pjesë dhe kontribuan në aksionin e djeshëm. Një falenderim i veçantë shkon për fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave te cilët modestish u bënë pjesë e këtij aksioni. Edukimi dhe ndërgjegjësimi për një ambient të pastër, nis në kopshte dhe shkolla, ndaj vogëlushët dhe nxënësit iu bashkuan nismës sonë.

Ky aksion do të vijoje çdo muaj në Bashkinë tonë, pasi një “Ambient i pastër =  shëndet”