Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: Eugen

Fjala e Kryetarit të Bashkisë Skrapar në ceremoninë e dhënies së “Certifikatës së Mirënjohjes” për mësuesit e qytetit Çorovodë

Të dashur mësues,

Të nderuar drejtues të Zyrës Arsimore dhe drejtues të shkollave të qytetit,

Zonja dhe Zotërinj,

Ndihem shumë i privilegjuar, por edhe i emocionuar, t’i drejtohem me këtë fjalë përshëndetëse kësaj audience elitare të arsimit në Skrapar. Së pari, dëshiroj t’ju uroj të gjithëve gëzuar 7 Marsin, një festë e cila zë një vend të posaçëm në kalendarin e festave tona kombëtare.

Kjo është një ditë e veçantë për ju, për nxënësit tuaj, për çdo familje, që në një mënyrë apo tjetër, është e lidhur me shkollën. Është një festë që festohet në më shumë se 100 vende të botës, diku në nderim të një individi të shquar, apo diku tjetër të një ngjarjeje të shënuar, të lidhur me zhvillimin e arsimit.

Ne, sikurse të gjithë e dimë, kemi zgjedhur ditën e hapjes së shkollës së parë shqipe, 135 vjet më parë. Shumë vende, kanë zgjedhur të festojnë në 5 Tetor, që njihet edhe si dita botërore e mësuesit.

7 Marsi  është dita, kur e gjithë shoqëria kthen vëmendjen nga ju, në nderim të punës tuaj, për t’ju shprehur respektin dhe mirënjohjen për gjithçka ju bëni përditë, me durim, me pasion, përkushtim dhe pa u lodhur, duke e shndërruar mësimdhënien në armën më të fuqishme për të ndryshuar botën.

Të jem i sinqertë, kjo është më e pakta që mund të bëjmë, ndërkohë që ju jeni njerëz që keni luajtur dhe luani një rol shumë të rëndësishëm në jetën dhe të ardhmen e shumëkujt. Ju edukoni, çka shkon përtej një lënde të caktuar për të cilën jeni profilizuar, dhe në këtë mënyrë formësoni të ardhmen tonë.

Çdo prind, çdo familje ju beson fëmijët e tyre, dhe jeni ju që me punën tuaj influenconi tek ata çdo ditë, duke ju treguar rrugën ku duhet të ecin, duke ju transmetuar atyre dije dhe kompetencë në lëndë të ndryshme, por edhe vlera morale, vlera qytetare, etikë dhe virtyte, me qëllim që ata të përballen me sfidat e jetës dhe të bëhen qytetarë të denjë të së nesërmes. Të mos harrojmë se qytetar i mirë nuk lind, por bëhesh i tillë. “Më jep mësues të mirë, të të jap qytetarë të mirë”, do të thoshte një edukator i njohur.

Me shumë kënaqësi kam zgjedhur këtë grup mësuesish, përshirë edhe një pjesë prej jush që janë në pension, t’ju akordoj “Çertifikatën e Mirënjohjes”, si një vlerësim qytetar për kontributin që ju kini dhënë dhe jepni në edukimin e brezave. Që të gjithë pa përjashtim kini dy gjëra të përbashkëta dhe shumë domethënëse. E para: eksperiencën e gjatë në mësimdhënie; dhe e dyta: që të gjithë nuk jeni larguar asnjë  ditë nga ky profesion fisnik, që më shumë se çdo tjetër inspiron shpresë dhe mirësi tek të tjerët.

Por, arsyeja që jemi sot këtu, shkon përtej sa përmenda më sipër. Ajo çka kam vlerësuar tek ju, është korrektesa, integriteti dhe mbi të gjitha autoriteti profesional që ju keni demonstruar gjatë gjithë karrierës tuaj. Janë pikërisht këto cilësi që ju dallojnë nga të tjerët.  Pse keni pasur këto cilësi, kini fituar respektin e nxënësve, prindërve, kolegëve dhe shoqërisë.

Duke demonstruar këto cilësi, të domosdoshme për të qenë i suksesshëm në çdo profesion, ju jeni shndërruar në model për të tjerët, ju keni lënë emrin tuaj të mirë, edhe pse, një pjesë juaja nuk janë fizikisht nuk jeni aty, jeni një pikë e mirë reference për këdo pas jush. Dhe kjo është arritje për ju, aq sa është vlerë për komunitetin e mësuesve, pse jo edhe për shoqërinë në tërësi.

Përmes jush, si kryetar i Bashkisë, por edhe si një individ, që kam një lidhje me mësuesinë, dua t’ju përcjell të gjithë mësuesve të Skraparit, mirënjohjen time për punën  që bëjnë, dhe t’ju them se sa të rëndësishëm janë në progresin dhe dinamikën e shoqërisë së sotme.

Shoqëria jonë, më shumë se kurdoherë tjetër, ka nevojë për njerëz si ju, që kini fuqinë të frymëzoni fëmijët dhe të rinjtë në rrugën e tyre të jetës, duke u bërë për ta modeli që duhet të ndjekin. Dhe në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se pas çdo personi të suksesshëm, qoftë ky një mjek, inxhinier, ekonomist, ushtarak, jurist, agronom, apo tjetër, është një mësues, është një nga ju.

Jam i bindur se në këtë moment, po sillni në kujtesë individë të tillë, për të cilët, me mburrje shpreheni “ky ka qenë nxënësi im”, ashtu si edhe ata nuk ua kursejnë asnjëherë respektin dhe mirënjohjen, duke mos ju thirrur asnjëherë në emër. Për ata, ju nuk jeni thjesht Avdyli, Sadiku, Nazikja apo Fatmira, por: presor Avdyli, presor Sadiku, mësuese Nazikja apo edukatore Fatmira.

Është vërtet kënaqësi kur ish nxënësit tënd, me kalimin e viteve behën miqtë tënd më të mirë, një miqësi e ndërtuar mbi vlera dhe respekt, duke e zbehur kësisoj diferencën e moshës mes jush.

Secili prej nesh në këtë sallë, ka në memorien  tij, të paktën një mësues, i cili apo e cila, na ka inkurajuar dhe motivuar në formimin tonë. Ishte shumë emocionuese teksa dëgjoja presor Avdylin, kur u mblodhëm në zyrën time, të thoshte “të gjithë këta kanë qenë nxënësit e mi”. 

Të dashur miq,

Ju kini ushtruar dhe ushtroni një profesion shumë fisnik. Në shumë vende, madje edhe të zhvilluara, shpërblimi monetar që mësuesit marrin, nuk është në nivelin që duhej të ishte. Shpërblimi i vërtetë që ju merrni, nuk janë paratë, apo statusi social. Shpërblimi i vërtetë për ju është gëzimi dhe kënaqësia që ju ndjeni për çdo arritje apo sukses të nxënësve tuaj.

Puna juaj e përditshme, ju bën të konsideroheni në një farë mënyre si “inxhinierë socialë”, kjo jo vetëm për shkak të punës tuaj brenda klasës, shkollës, por më tej akoma për shkak të influencës që ju kini në komunitet në shoqëri. Mësues si ju, apo edhe të tjerë që nuk janë në këtë sallë, janë vërtet një aset i vyer për shoqërinë.

Më sipër theksova se shoqëria jonë, më shumë se kurdo herë tjetër, ka nevojë për njerëz si ju. Kjo është më se e vërtetë. Por, po kaq i vërtetë është fakti, që shoqëria nga ana e saj, organet e qeverisjes qendrore apo vendore, lipset të bëjnë më shumë për ju.

Unë, si kryetar i Bashkisë, nuk mund t’i shmangem përgjegjësisë kur vjen fjala tek krijimi i kushteve më të mira të punës për ju. Pavarësisht asaj çka është bërë, pavarësisht një komunikimi të shëndetshëm dhe efecient të vendosur me drejtuesit e shkollave dhe të zyrës arsimore, ka ende shumë sfida që bashkërisht duhen kapërcyer.

Kam diskutuar këto ditë me disa prej jush sa i takon kontributit që mësuesit tanë kanë dhënë këtu në Skrapar, apo edhe në qytete të mëdha të vendit. Janë të shumtë dhe shumë cilësorë. Por, të mos harrojmë, koha bën të sajën. Shumë prej tyre janë pensionuar. Kështu po ndodh edhe këtu.

Shumë shpejt do të gjendemi përballë pyetjes: “kush do ta japë fizikën, kush do ta japë matematikën, biokiminë, etj.?” Kjo është sfida më e madhe e së nesërmes së afërt. Koha ikën shumë shpejt.

Besoj të gjithë e kini dëgjuar alarmin e vënë nga drejtues të Fakultetit të Shkencave të Natyrës për regjistrimet e ulëta në fizikë, matematikë, biokimi!!! Kjo është një çështje që ka të bëjë me politik bërjen, por nëse nuk zgjidhet sot, sa më parë, do të ketë një kosto të madhe sociale nesër. Dhe të mendoni se sa të ekspozuar do të jemi ne ndaj këtij fenomeni, kjo e ndikuar edhe lëvizje të pandalshme demografike.

Ndaj të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të inkurajuar të rinjtë ta duan këtë profesion fisnik. Nesër do të kemi shumë nevojë për mësues të disa profileve që përmenda më sipër.

Pa dashur të biem në pesimizëm, dëshiroj t’ju uroj edhe njëherë gëzuar festën. Paçi shëndet dhe gjithë të mirat në familjet tuaja. E kalofshi sa më gëzueshëm këtë ditë, me nxënësit dhe familjarët tuaj. Dua ta mbyll këtë fjalë me një thënie të një artisteje Amerikane, Colleen Ëilcox: “Mësimdhënia është akti më i madh i optimizmit”. Besoj se të gjithë ndajmë këtë mendim.

Ju faleminderit; Qofshi të nderuar gjithmonë.

Zoti ju bekoftë!

Festa e 7 Marsit në Bashkinë Skrapar

Festimet e 7 Marsit, ditës së mësuesit ishin shumë ndryshe këtë vit. Ato nisën me një koncert të organizuar nga Qendra Kulturore në bashkëpunim me shkollat e qytetit Çorovodë. Një koncert shumë dinjitoz, me pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, gjatë të cilit nxënësit interpretuan pjesë të dedikuara për mësuesit e tyre, duke krijuar një atmosferë shumë festive. Festimet vazhduan më tej me një ceremoni të organizuar nga Bashkia Skrapar, në të cilën u vlerësuan një grup mësuesish të shkollave të qytetit, si dhe mësues në pension. Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë shprehu respektin dhe mirënjohjen për punën e të gjithë mësuesve në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve si dhe rolin që ata luajnë në shoqëri. Ndër të tjera, kryetari i Bashkisë u shpreh se: “Shoqëria jonë, më shumë se kurdoherë tjetër, ka nevojë për njerëz si ju, që keni fuqinë të frymëzoni fëmijët dhe të rinjtë në rrugën e tyre të jetës, dukë u bërë për ta modeli që duhet të ndjekin”. Më pas, ceremonia e ditës së sotme, vijoi më shpërndarjen e “Certifikatave të Mirënjohjes” për mësuesit e shkollave së qytetit të Çorovodës.

Nga ana e tyre, mësuesit e nderuar në këtë rast, shprehën mirënjohjen e tyre për vlerësimin që Bashkia Skrapar iu bëri punës së tyre ndër vite. Ata përjetuan një emocion të veçantë dhe përcollën mesazhet më të ndjera në këtë ceremoni, për të vazhduar të bëjnë ç’ është e mundur për edukimin  e fëmijëve dhe të rinjve, për t’i përgatitur sa më mirë ata për të ardhmen.

Ambasada e Japonisë, i dhuron Bashkisë Skrapar, një mjet për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta.

Ditën e premte, në datën 18.02.2022, Ambasada Japoneze në Tiranë, nënshkroi me Bashkinë Skrapar një marrëveshje dhurimi me vlerë 82.500 euro, nëpërmjet te cilës, do të bëhet e mundur, blerja e një mjeti (Autobot), për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta dhe larjen  e rrjetit të rrugëve të brendshme të qytetit.

Kryetari i Bashkisë Skrapar, z. Adriatik Mema, i shprehu mirënjohjen e sinqertë,  Ambasadorit Japonez  Mitsuyuki Takada dhe Qeverisë Japoneze, për mbështetjen e tyre duke theksuar rëndësinë e këtij granti, për Bashkinë Skrapar dhe qytetarët e saj.

Automjeti për larjen e rrugëve të qytetit, do ti dhurohet Bashkisë Skrapar, në kuadër të projekteve sociale që Qeveria Japoneze akordon, për qeverisjen vendore në vendin tonë, për të përmirësuar mirë administrimin e mjedisit dhe sipërfaqeve të gjelbërta.

Ky është bashkëpunimi i dytë, ndërmjet Qeverisë Japoneze dhe Bashkisë Skrapar.

Në vitin 2020, Qeveria Japoneze nëpërmjet projekteve sociale i dhuroi bashkisë Skrapar një mjet për mbledhjen dhe menaxhimin e mbetjeve, si dhe 103 kosha, të cilat përmirësuan ndjeshëm, sistemin e menaxhimit të mbetjeve, në bashkinë Skrapar.

Me këtë projekt të dytë Ambasada e Japonisë dhe Bashkia Skrapar, po i fuqizojnë më tej marrëdhëniet e mirë të bashkëpunimit, të cilat do të shoqërohen në të ardhmen edhe me projekte të tjera, me interes për komunitetin.

Ambasadori i Japonisë  SH.T.Z. Mitsuyuki Takada, nga ana e tij shprehu angazhimin për  bashkëpunime të mëtejshme me Bashkinë Skrapar, në fushën e mbrojtjes se mjedisit dhe rikonfirmoi  përkushtimin e Qeverise Japoneze, për të mbështetur këtë sektor të rëndësishëm të qeverisjes vendore.

Vijon aksioni i pastrimit në Bashkinë Skrapar

Bashkia Skrapar, në kuadër të Aksionit Kombëtar të Pastrimit 2021 – 2022, nisma “Të çlirojmë territorin nga mbetjet dhe ndotja mjedisore”, ndërmarrë nga Kryeministri Rama dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, vijon punën çdo javë për pastrimin e hapësirave publike në territorin  e saj. Fokusi i këtij pastrimi kanë qenë kryesisht destinacionet turistike, siç janë Kanionet e Osumit, Ura e Kasabashit, tunelet e Pirogoshit, etj. Jo më pak vëmendje u është kushtuar  hapësirave të gjelbra në qytetin e Çorovodës, si: ura e spitalit, rruga e re në hyrje të qytetit, nënstacioni i ri, rruga Arkitekt Kasëmi, në dy krahët e përroit të Mollasit, segmenti rrugor nga ura e re në fshatin Sharovë deri tek varrezat publike etj.

Edhe pse çdo ditë në këto hapësira punëtorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kryejnë punën e tyre, në disa vende situata lë shumë për të dëshiruar. Ndaj, Bashkia u bën thirrje të gjithë banorëve të saj të kujdesen dhe të trajtojnë me dinjitet natyrën që Zoti na ka falur, si dhe të mbrojmë mjedisin ku jetojmë. Të gjithë meritojnë të jetojnë në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Hidhini mbeturinat në vendin e caktuar për to, e jo nga ballkonet apo dritaret e shtëpive tuaja. Disa sjellje, në dukje të vogla, kanë ndikim të madh në jetën e të gjithëve.

Fëmijët kanë të drejtë të rriten shëndetshëm! Kujdesu për Mjedisin, mbro të ardhmen e tyre!