Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: Eugen

Muaji Antitrafik në Bashkinë Skrapar

Muaji Tetor është cilësuar si muaji kundër luftës për trafikimin e qenieve njerëzore. Andaj si i tillë, Bashkia Skrapar ka ndërmarrë nismën e fushatës sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese nëpërmjet aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë gjithë muajit Tetor. Kështu sot më datë 11.10.2022, u organizua takimi i Tryezës Teknike, i cili do të inicionte këtë fushatë në kuadër të muajit antitrafik. Në këtë takim ishin të pranishëm anëtarë të grupit teknik multidisiplinar dhe aktorë të tjerë në luftën antitrafik.
Në fjalën e saj të hapjes, Drejtore e Shërbimit Social, Arsimit, Sportit, Kulturës dhe Rinisë në Bashki, Znj. Kamela Nako vuri theksin tek rëndësia e ndërmarrjes së një angazhimi të përbashkët në luftën kundër trafikimit të personave, si dhe përcjelljes së mesazheve të forta sensibilizuese për rreziqet që sjell trafikimi, rrugët dhe format që duhet të ndjekim për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut, në veçanti të grupeve vulnerabël.
Gjatë takimit u diskutua nga të gjithë aktorët, mbi fenomenin e trafikimit, format e tij, mënyrat e raportimit dhe demonstruan angazhimin e tyre në identifikimin dhe parandalimin e trafikimit të personave dhe në veçanti të fëmijëve. Gjithashtu, theksi u vu në gjetjen e metodave që duhen përdorur për një bashkëpunim ndërinstitucional jo vetëm për takime të tilla por edhe në raste konkrete.

Thirrje për anëtarësim në Këshillin Vendor Rinor Skrapar

Nëse të pëlqen …të njihesh me njerëz të rinj, të shprehësh e të ndash opinionet e tua, të përmirësosh ndjeshëm nivelin e zotërimit të Anglishtes, të promovohesh si lider….dhe ke dëshirë ta transformosh komunitetin tënd duke e shndërruar në një realitet më të emancipuar, vibrant e plot jetë e gjallëri …
Atëherë ti je një kandidat\e i\e shkëlqyer për t’u bërë pjesë e Këshillit Vendor Rinor Skrapar (Skrapar Youth Council)

A. Historiku i Këshillit Vendor Rinor Skrapar
Këshilli Rinor Vendor Skrapar është një sektor i ideuar dhe i suportuar nga Bashkia Skrapar, i cili ka për qëllim përkrahjen, konsulencën, aktivizimin vullnetarizmin dhe zhvillimin e lidershipit për rininë e qytetit. Gjithashtu, ky sektor synon ndërtimin e marrëdhënieve midis të rinjve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal e qendror, OJF-ve, etj. Për të qenë pjesë e këshillit rinor nuk kërkon asnjë lloj kostoje monetare nga ana e të rinjve, mjafton që këto të fundit të aplikojnë. Procesi i aplikimit të të rinjve realizohet përgjatë muajit Tetor 2022. Kryetari i Bashkisë ngreh një grup pune, i cili përzgjedh sipas kritereve të vendosura të rinjtë që përzgjidhen. Procesi i selektimit bazohet në cilësinë e aplikimit të shkruar të çdo aplikanti, shprehjen e interesave, dhe në letër rekomandimet përkatëse.

  1. Për tu bërë pjesë e Këshillit Rinor Vendor duhet të jeni pjesë e një Organizate Rinore (OJF), anëtar i Këshillit studentor ose përfaqësues të tjerë.

• Kriteret e procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Vendor Rinor:
• Mund të jenë anëtarë me të drejta të plota të rinjtë në moshën 15 deri 29 vjeç,
• Të mos ketë konflikt interesi në përmbushjen e kërkesave dhe dispozitave ligjore në fuqi.
Të ketë përvoje në fushën e zhvillimit apo zbatimit të aktiviteteve rinore.
• Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

  1. Kandidatët për t’u emëruar anëtar i Këshillit Vendor Rinor Skrapar duhet të paraqesin interesin e tyre, në adresën: Zyra e Protokollit, kati 1, Bashkia Skrapar, brenda afatit kohor 08.11.2022, përkatësisht dokumentacionin si vijon:

• Kandidatët përfaqësues i organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë:
• Kërkesa
• Jetëshkrimin (CV) të shoqëruar me dokumentacion
• Vetëdeklarimin e konfliktit të interesit

• Kandidatët jo përfaqësues të organizatave rinore :
• Kërkesa
• Jetëshkrimin CV të shoqëruar me dokumentacion
• Letër motivimi
• Vetëdeklarimin e konfliktit të interesit

  1. Njoftimi i fitueseve do të publikohet në faqen zyrtare të institucionit, në mjediset e bashkisë dhe/ose në rrjetet sociale të institucionit.

B. Përfitimet e të qenit pjesë e Këshillit Rinor Vendor Skrapar
Të rinjtë të cilët bëhen pjese e Këshillit Rinor Skrapar, padyshim që përmirësojnë aftësitë e tyre në:
Komunikim
Mendimin Kritik
Hartim projektesh
Zgjidhjen e Problemeve
Gjuhen Angleze
Punën në grup
Teknologji
Krijimtari

Pjesëmarrësit aftësohen duke hyrë në marrëdhënie bashkëvepruese me bashkëmoshatarët e tyre nga të gjithë komunitetet e qytetit, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e Bashkisë si dhe Këshillin Bashkiak. Gjithashtu, krijojnë mundësi të takohen me profesionistë të ndryshëm të Skraparit si ato të fushës së artit dhe kulturës, OJF- së dhe biznesit etj.

Forumi i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese

Ditën e djeshme,  Bashkia Skrapar mori pjesë në “Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese” organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe me mbështetjen e GIZ.

Qëllimi i këtij Forumi ishte përhapja më e gjerë e modeleve të Kompostimit dhe Riciklimit të mbetjeve, përveç detyrimit për grumbullimin dhe depozitimin e tyre në vend depozitime të ligjshme.

Kryetari i Bashkisë Skrapar, gjatë prezantimit të tij, ndau me pjesëmarrësit në këtë forum, eksperiencën e kësaj Bashkie në Menaxhimin e Mbetjeve, në sigurimin e logjistikës së domosdoshme për kryerjen e këtij shërbimi në mënyrë bashkëkohore, Objektivat e parashikuara në Dokumentin Strategjik Vendor, sfidat për operimin e vend depozitimit të rehabilituar (financuar nga GIZ) , në politikat që do të ndiqen për jetëgjatësinë e këtij vend depozitimi deri në ndërtimin e Qendrës Rajonale të Menaxhimit të Mbetjeve duke theksuar misionin e vazhduar të kësaj Bashkie, në “Mbrojtjen e Mjedisit, mirë menaxhimin e mbetjeve urbane, pastërtinë në qytet dhe përreth, duke krijuar kësisoj një ambient sa më atraktiv dhe miqësor për komunitetin dhe vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët dëshirojnë të shijojnë atraksionet natyrore dhe turistike të Skraparit”.

Bashkia Skrapar nuk ndalet

Misioni ynë, vazhdon.

21 – vjetori i festimit të shumëllojshmërisë gjuhësore dhe kulturore në Skrapar

Dita Europiane e Gjuhëve është dita e përvitshme për të festuar dhe për të inkurajuar mësimin e gjuhëve në të gjithë Europën. Kjo ditë është vlerësuar si një ditë gjithë përfshirëse, e cila mbështet nxënësit që të arrijnë potencialet e tyre dhe të luajnë një rol aktiv në shoqëritë e ndryshme dhe demokratike.

Në sajë të kësaj dite të veçantë, nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi”, organizuan sot në ambientet e shkollës, një aktivitet në të cilin përcollën mesazhin se mësimi i gjuhëve të huaja është jo vetëm një festë por edhe një nevojë për të ardhmen. Nxënësit kishin përgatitur disa materiale në gjuhë të ndryshme, nëpërmjet të cilave shprehën bindjen se diversiteti gjuhësor është një mjet për të arritur një mirëkuptim më të madh ndërkulturor dhe një element kyç në trashëgiminë e pasur kulturore të kontinentit tonë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Skrapar, mësues dhe nxënës të shkollës, ku fokusi kryesor ishte nxitja për përvetësimin e gjuhëve të huaja gjatë programit mësimor, si dhe në mënyrë autodidakte, duke i dhënë mundësinë gjithsecilit për të vlerësuar dhe promovuar të gjitha gjuhët dhe kulturat në Europë.

Takim ndërgjegjësues mbi sigurinë në shkolla

Takim ndërgjegjësues mbi sigurinë në shkolla.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional midis Bashkisë Skrapar, Komisariatit të Policisë dhe shkollave të qytetit, nisën sot veprimtaritë ndërgjegjësuese me fokus ndalimin e fenomeneve negative dhe rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla dhe pranë tyre.
Në aktivitetin e organizuar sot, në shkollën e mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi”, morën pjesë përfaqësues të Bashkisë, përfaqësues të Policisë, drejtues të shkollës, mësues, psikologë, oficerë të sigurisë dhe përfaqësues nga qeveria e nxënësve.

Përfaqësues të Bashkisë pjesëmarrës në këtë takim vunë theksin në nevojën e bashkërendimit të përpjekjeve për të identifikuar në funksion të garantimin të sigurisë në shkolla.

Nga ana e tij, shefi i rendit në Komisriatin e Policisë Komisar Shyto Laze, theksoi se siguria në shkolla është përgjegjësi ligjore e të gjithë aktorëve. Ndaj dhe kërkohet të bashkëpunohet për identifikimin e hershëm të problematikave për të mos lejuar që ato të gjejnë vend në mjediset tona shkollore.
Gjatë takimit u diskutua në detaje sesi të ndërtohet në vijueshmërinë bashkëpunimi midis shkollave, Bashkisë dhe organeve të Policisë me synim garantimin në vazhdimësi të sigurisë në shkolla.

Gjithashtu, u theksua domosdoshmëria e reagimit dhe kontributit të gjithsecilit, për t’u ardhur në ndihmë të rinjve në nevojë, në mënyrë që të mos i lejojmë të vijojnë drejt akteve të paligjshme që të çojnë drejt greminës, por të ecin në rrugën e dijes, në rrugën e sigurt drejt së ardhmes.
Takime si ky i sotmi, do të vijojnë edhe në shkolla të tjera si në qytet, ashtu edhe në Njësitë Administrative.