Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Lajme

Mesazh vlerësimi

Bashkia Skrapar falenderon kompaninë One Telecommunications për reagimin e saj të shpejtë në përgjigje të shqetësimit të prezantuar nga Bashkia dhe qytetarë të shumtë të Skraparit lidhur me spotin e saj promocional. Në saj të një komunikimi korrekt dhe mirëkuptues me stafin e kësaj kompanie u bë tashmë e mundur saktësimi i informacionit që ky spot përmbante.

Reagim i Kryetarit të Bashkisë, zotit Adriatik Mema, lidhur me spotin e Kompanisë One Telecommunications

Në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Skrapar, duke përcjellë edhe zërin e qytetarëve të Skraparit, por jo vetëm, kërkoj saktësimin e informacionit që përmban spoti publicitar i kompanisë One Telecommunications. Ky spot, i cili i “afron” kanionet e Osumit në qytetin e Beratit, është sa dezinformues,  aq edhe çorientues për vizitorët vendas apo të huaj. Natyra ia ka falur këtë bukuri unike Çorovodës, ashtu sikurse i ka falur Beratit bukuritë e tij të çmuara. Berati nuk ka aspak nevojë për këtë “dhuratë”, e cila i ofrohet nga spoti i kompanisë One. Jam i bindur se, qytetarët e Beratit ndihen të surprizuar nga kjo gjë.

Pozicionimi gjeografik i kanioneve, kjo e vërtetë e patjetërsueshme e natyrës, nuk mundet kurrsesi të sfidohet nga spote të tilla, sado të kushtueshme, tërheqëse apo impresionuese qofshin ato. Ndaj, çdo transmetim i mëtejshëm i këtij spoti, në formën që është sot, jo vetëm çorienton publikun, por edhe anashkalon promovimin e krahinës së mrekullueshme të Skraparit. Deri sa kjo të saktësohet, vizitorëve dhe admiruesve të bukurive të natyrës që Skrapari, ashtu si Berati, dëshirojnë të jenë sa më të shumtë këtë vit, ju them se, ju duhet të udhëtoni edhe 50 km më tej, për të shijuar kanionet e Osumit, këtë mrekulli natyrore të vendosur në SKRAPAR. Ja vlen vërtet ta bëni këtë gjë, nuk do të zhgënjeheni.

“Shiqiperi e Pastër, Skrapar i pastër”

Në zbatim të Planit Kombëtar të Pastrimit, dita e djeshme ka zhvendosur, për rreth dy orë, në terren stafin e Bashkisë Skrapar dhe të gjithë strukturat e saj vartëse. Aksionit të djeshëm iu bashkuan edhe institucione të tjera vendore, si: shërbimi spitalor, zyra vendore e arsimit, shërbimi parësor shëndetësor, etj. Ndërsa e veçanta e kësaj dite ishte pjesëmarrja e fëmijëve të kopshteve si dhe nxënësit e shkollave 9-Vjeçare dhe asaj të mesme të qytetit. Të gjitha grupeve pjesëmarrëse në këtë aksion, sipas një plani të përgatitur nga Bashkia, iu caktuan edhe zonat për pastrimin e të cilave këto grupe do të angazhoheshin. Kujdes i posaçëm u tregua në pastrimin e zonave përreth destinacioneve turistike, përreth objekteve shkollore, spitalore, ashtu si edhe segmenteve në hyrje të qytetit, apo blloqe banimi.

Mbajtja pastër e këtyre ambienteve mbetet një prioritet i Bashkisë, çka bëhet edhe më e domosdoshme me afrimin e sezonit turistik. Në këtë kontekst, Bashkia apelon të gjithë qytetarët, veçanërisht bizneset e shërbimit, të ndërgjegjësohen më shume dhe të tregojnë kujdes të shtuar në mbajtjen pastër të ambientit, kjo së pari në interes të shëndetit të banorëve por edhe mbarëvajtjes së bizneseve të tyre. Bashkia dhe të gjitha strukturat e saj do të vijojnë çdo ditë të jenë në terren në funksion të përmbushjes së detyrimeve për pastrimin pa asnjë vonesë të të gjitha ambienteve publike.

Bashkia gjen rastin të falenderojë të gjitha strukturat që morën pjesë dhe kontribuan në aksionin e djeshëm. Një falenderim i veçantë shkon për fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave te cilët modestish u bënë pjesë e këtij aksioni. Edukimi dhe ndërgjegjësimi për një ambient të pastër, nis në kopshte dhe shkolla, ndaj vogëlushët dhe nxënësit iu bashkuan nismës sonë.

Ky aksion do të vijoje çdo muaj në Bashkinë tonë, pasi një “Ambient i pastër =  shëndet”

Festa e 7 Marsit në Bashkinë Skrapar

Festimet e 7 Marsit, ditës së mësuesit ishin shumë ndryshe këtë vit. Ato nisën me një koncert të organizuar nga Qendra Kulturore në bashkëpunim me shkollat e qytetit Çorovodë. Një koncert shumë dinjitoz, me pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, gjatë të cilit nxënësit interpretuan pjesë të dedikuara për mësuesit e tyre, duke krijuar një atmosferë shumë festive. Festimet vazhduan më tej me një ceremoni të organizuar nga Bashkia Skrapar, në të cilën u vlerësuan një grup mësuesish të shkollave të qytetit, si dhe mësues në pension. Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë shprehu respektin dhe mirënjohjen për punën e të gjithë mësuesve në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve si dhe rolin që ata luajnë në shoqëri. Ndër të tjera, kryetari i Bashkisë u shpreh se: “Shoqëria jonë, më shumë se kurdoherë tjetër, ka nevojë për njerëz si ju, që keni fuqinë të frymëzoni fëmijët dhe të rinjtë në rrugën e tyre të jetës, dukë u bërë për ta modeli që duhet të ndjekin”. Më pas, ceremonia e ditës së sotme, vijoi më shpërndarjen e “Certifikatave të Mirënjohjes” për mësuesit e shkollave së qytetit të Çorovodës.

Nga ana e tyre, mësuesit e nderuar në këtë rast, shprehën mirënjohjen e tyre për vlerësimin që Bashkia Skrapar iu bëri punës së tyre ndër vite. Ata përjetuan një emocion të veçantë dhe përcollën mesazhet më të ndjera në këtë ceremoni, për të vazhduar të bëjnë ç’ është e mundur për edukimin  e fëmijëve dhe të rinjve, për t’i përgatitur sa më mirë ata për të ardhmen.