Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Lajme

Ambasada e Japonisë, i dhuron Bashkisë Skrapar, një mjet për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta.

Ditën e premte, në datën 18.02.2022, Ambasada Japoneze në Tiranë, nënshkroi me Bashkinë Skrapar një marrëveshje dhurimi me vlerë 82.500 euro, nëpërmjet te cilës, do të bëhet e mundur, blerja e një mjeti (Autobot), për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta dhe larjen  e rrjetit të rrugëve të brendshme të qytetit.

Kryetari i Bashkisë Skrapar, z. Adriatik Mema, i shprehu mirënjohjen e sinqertë,  Ambasadorit Japonez  Mitsuyuki Takada dhe Qeverisë Japoneze, për mbështetjen e tyre duke theksuar rëndësinë e këtij granti, për Bashkinë Skrapar dhe qytetarët e saj.

Automjeti për larjen e rrugëve të qytetit, do ti dhurohet Bashkisë Skrapar, në kuadër të projekteve sociale që Qeveria Japoneze akordon, për qeverisjen vendore në vendin tonë, për të përmirësuar mirë administrimin e mjedisit dhe sipërfaqeve të gjelbërta.

Ky është bashkëpunimi i dytë, ndërmjet Qeverisë Japoneze dhe Bashkisë Skrapar.

Në vitin 2020, Qeveria Japoneze nëpërmjet projekteve sociale i dhuroi bashkisë Skrapar një mjet për mbledhjen dhe menaxhimin e mbetjeve, si dhe 103 kosha, të cilat përmirësuan ndjeshëm, sistemin e menaxhimit të mbetjeve, në bashkinë Skrapar.

Me këtë projekt të dytë Ambasada e Japonisë dhe Bashkia Skrapar, po i fuqizojnë më tej marrëdhëniet e mirë të bashkëpunimit, të cilat do të shoqërohen në të ardhmen edhe me projekte të tjera, me interes për komunitetin.

Ambasadori i Japonisë  SH.T.Z. Mitsuyuki Takada, nga ana e tij shprehu angazhimin për  bashkëpunime të mëtejshme me Bashkinë Skrapar, në fushën e mbrojtjes se mjedisit dhe rikonfirmoi  përkushtimin e Qeverise Japoneze, për të mbështetur këtë sektor të rëndësishëm të qeverisjes vendore.

Vijon aksioni i pastrimit në Bashkinë Skrapar

Bashkia Skrapar, në kuadër të Aksionit Kombëtar të Pastrimit 2021 – 2022, nisma “Të çlirojmë territorin nga mbetjet dhe ndotja mjedisore”, ndërmarrë nga Kryeministri Rama dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, vijon punën çdo javë për pastrimin e hapësirave publike në territorin  e saj. Fokusi i këtij pastrimi kanë qenë kryesisht destinacionet turistike, siç janë Kanionet e Osumit, Ura e Kasabashit, tunelet e Pirogoshit, etj. Jo më pak vëmendje u është kushtuar  hapësirave të gjelbra në qytetin e Çorovodës, si: ura e spitalit, rruga e re në hyrje të qytetit, nënstacioni i ri, rruga Arkitekt Kasëmi, në dy krahët e përroit të Mollasit, segmenti rrugor nga ura e re në fshatin Sharovë deri tek varrezat publike etj.

Edhe pse çdo ditë në këto hapësira punëtorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kryejnë punën e tyre, në disa vende situata lë shumë për të dëshiruar. Ndaj, Bashkia u bën thirrje të gjithë banorëve të saj të kujdesen dhe të trajtojnë me dinjitet natyrën që Zoti na ka falur, si dhe të mbrojmë mjedisin ku jetojmë. Të gjithë meritojnë të jetojnë në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Hidhini mbeturinat në vendin e caktuar për to, e jo nga ballkonet apo dritaret e shtëpive tuaja. Disa sjellje, në dukje të vogla, kanë ndikim të madh në jetën e të gjithëve.

Fëmijët kanë të drejtë të rriten shëndetshëm! Kujdesu për Mjedisin, mbro të ardhmen e tyre!

Përfundojnë punimet për rehabilitimin e vend depozitimit të mbetjeve urbane në qytetin e Çorovodës

Në praninë e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, përfaqësueses së GIZ, znj. Christine Koening, dita e djeshme shënoi përfundimin e punimeve në vend depozitimin e mbetjeve urbane në qytetin e Çorovodës. Punimet në këtë vend depozitim, të cilat u financuan nga qeveria Gjermane përmes GIZ, synojnë të sjellin atë në parametrat bashkëkohorë të administrimit të mbetjeve urbane. Në takimin e zhvilluar në Bashkinë Skrapar, kryetari i Bashkisë, z. Adriatik Mema, vlerësoi asistencën e GIZ si dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për këtë projekt me shumë impakt për komunitetin. Në vijim, z. Mema u ndal tek prioritetet e Bashkisë Skrapar, sa i takon zhvillimit të turizmit, ruajtjes së mjedisit dhe administrimit të mbetjeve urbane dhe të ngurta. Ai vlerësoi, po ashtu, asistencën e dhënë në këtë drejtim edhe nga organizata apo institucione të tjera, si dhe koordinimin eficent të realizuar nga Bashkia, me qëllim maksimizimin e asistencës së ofruar dhe evitimin e mbivendosjeve të panevojshme. Synimi i Bashkisë është që ky vend depozitim të përdoret më pas, si vend transferimi i mbetjeve, në kuadër të projektit rajonal në nivel Qarku, për menaxhimin e përqendruar të mbetjeve urbane. Nga ana e saj, Ministrja Kumbaro, pasi vlerësoi punën e bërë deri tani nga Bashkia Skrapar, si dhe asistencën e GIZ, apo të donatorëve të tjerë, vuri theksin në atë çka përbën edhe sfidën më të madhe për të ardhmen: ndarjen e mbetjeve në burim, edukimin e banorëve për këtë gjë, përpjekjet që duhen bërë në vazhdimësi sa i takon reduktimit të mbetjeve, pastërtisë dhe mirëmbajtjes së destinacioneve turistike në Skrapar. Këto të fundit, sipas Ministres, duhet të jenë gjithmonë përparësi e punës së Bashkisë, me qëllim që vizitorët, vendas apo të huaj, të gjejnë atje pritshmëritë e tyre: një mjedis sa atraktiv aq edhe të pastër e të mirëmbajtur. Ruajtja e mjedisit në Malin e Tomorrit, (ndër destinacionet kryesore turistike) ishte po ashtu, një çështje tjetër e trajtuar nga Ministrja Kumbaro, kjo edhe për shkak të numrit gjithnjë e në rritje të vizitorëve në vendin e shenjtë, të cilëve lipset t’u krijohen kushtet dhe lehtësitë e nevojshme për të shijuar bukuritë e rralla që Mali i Tomorrit ofron për ta.

Bashkia Skrapar Realizon Ndarjen dhe Kompostimin e Mbetjeve Bio

Në kuadër të projekteve IPA Greqi-Shqipëri 2014-2020, me financim nga BE, Bashkia Skrapar realizoi me sukses projektin “LESS Waste II”. Realizimi i këtij projekti, vjen si një risi, jo vetëm për Bashkinë Skrapar, por dhe në të gjithë vendin, pasi për herë të parë mbetjet organike do të kompostohen, duke gjeneruar pleh organik , i cili më pas do të përdoret për të mbuluar nevojat e Bashkisë, në sektorin e gjelbërimit.

Për të realizuar kompostimin e mbetjeve, Bashkia realizoi me sukses procesin e ndarjes së tyre në burim, nëpërmjet blerjes dhe vendosjes së koshave me kapacitet 240 dhe 120 litrash (në total 100 të tillë) pranë bareve dhe restoranteve të cilët gjenerojnë këto mbetje. Këtij qëllimi i shërbeu blerja e një makinerie kompostimi “Rocket A 900”, e njëjtë me ato që përdoren në vende me standarde të larta në fushën e trajtimit të mbetjeve, (e para e këtij lloji në vendin tonë), e cila u vendos në një ambient të ndërtuar enkas për funksionin e mësipërm. Kjo makineri, ka filluar procesin e kompostimit të mbetjeve organike dhe shume shpejt, produktet e saja do të përdoren për të mbuluar nevojat e bashkisë, në sektorin e gjelbërimit.

Përveç  ndarjes së mbetjeve në burim dhe kompostimit të tyre, realizimi i këtij projekti pati një efekt pozitiv dhe në menaxhimin më të mirë të mbetjeve, gjë që u realizuar nëpërmjet blerjes dhe vendosjes së 100 koshave me kapacitet 1100 litrash në të gjithë territorin e Bashkisë.

Menaxhimi i mbetjeve është një nga sektorët proritarë të punës së Bashkisë, pasi një kontroll dhe menaxhim sa më i mirë i tyre ndikon në cilësinë e jetesës së komunitetit. Në këtë kontekst, Bashkia po punon që ndarjen e mbetjeve në burim ta shtrijë në të gjithë qytetin.

Bashkia Skrapar falënderon të gjithë partnerët vendas dhe të huaj (Qendrën e Menaxhimit të Mbetjeve DIADYMA SA, Qendrën e Kërkimit dhe Teknologjisë Greke CERTH, Bashkitë  Grevena dhe Kastoria, Institutin e Kërkimit Urban në Tiranë URI) për pjesëmarrjen dhe asistencën e vyer në realizimin e suksesshëm të këtij projekti, me shumë interes për komunitetin tonë. Një falënderim të veçantë për stafin e Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për mbështetjen e ofruar në çdo hap të realizimit të këtij projekti.


Rehabilitimi i Venddepozitimit të Mbetjeve në Bashkinë Skrapar

Me financim të GIZ, po punohet për rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve në Bashkinë Skrapar. Punimet në këtë objekt, të cilat janë tashmë drejt përfundimit, synojnë jo vetëm zgjerimin në masë të konsiderueshme të hapësirës në të cilën administrohen mbetjet, por edhe pajisjen e këtij venddepozitimi me masa mbrojtëse të cilat zvogëlojnë ndikimin e mbetjeve në tokë, ajër dhe ujë, në funksion të mbrojtjes së  mjedisit dhe shëndetit të banorëve. Falë këtyre punimeve, Bashkia mund të përdorë në mënyrë më të sigurt dhe të kontrolluar venddepozitimin për një kohë të caktuar, deri në gjetjen e një zgjidhjeje më afatgjatë. Punimet rehabilituese në këtë venddepozitim janë pjesë e prioriteteve të Bashkisë sa i takon administrimit cilësor të mbetjeve urbane. Në vijim, Bashkia po harton një projekt të veçantë sa i takon rehabilitimit të venddepozitimit të mbetjeve të ngurta. Bashkia Skrapar vlerëson lart dhe falënderon GIZ për financimin e këtij projekti me shumë vlerë për komunitetin tonë. Një falemderim i veçantë, po ashtu, për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për mbështetjen e ofruar në realizimin e tij.