Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Lajme

Skrapari N’Gotë – Çorovoda mikpriti Edicionin e Dytë -Ministri Blendi Klosi: ” Vijojmë promovimin e traditës”

Edicioni i dytë i festës lokale “Skrapar n’gotë” u zhvillua këtë të shtunë 26 tetor 2019 në Çorovodë. Mes instalacioneve të shumta dhe demostrimit të pijeve dhe produkteve lokale, Çorovoda mikpriti mes qindra të pranishmëve, Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit z.Blendi Klosi, Prefekten e Qarkut Berat, znj. Valbona Zylyftari, Deputetët e nderuar të Parlamentit Shqiptare z. Adnor Shameti dhe Spartak Braho etj.  E konceptuar si një dinamike lëvizëse, mes viteve dhe kohëve rreth 40 fermerë të prodhimeve në gotë , biznese lokale të prodhimit të pijeve raklamuan mes instalacioneve produktet e zonës. Kryetari i Bashkisë Skrapar tha ndër të tjera se kjo festë u përket të gjithë banorëve të Skraparit të cilët vjelin produktet e mundit të tyre të krenarisë dhe traditës. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi theksoi se festat lokale, po bëhen një traditë që përsëritet falë suksesit dhe kërkesës së vetë komunitetit duke nxitur turizmin dhe promovuar ekonominë lokale.

Festa është gjithashtu një mundësi e artë për të promovuar Skraparin turistik me destinacionet si kanionet e Osumit, malin e Tomorit, por edhe shumë atraksione të tjera natyrore për të cilat ministri Klosi u bën thirrje veçanërisht turistëve vendas që ta vizitojnë zonën, të provojnë shijen e rakisë dhe mikpritjen e banorëve.

Ministri Klosi tha se do të vazhdojë promovimi i të gjitha vlerave dhe traditave që ka kjo zonë ndërsa siguroi mbështetjen për vijimin e festave lokale në të gjithë vendin, gjatë gjithë vitit.

“Ku tjetër më bukur se në Skrapar mund të realizohej festa e rakisë, apo Skrapari në Gotë. Është një festë tradicionale tashmë e organizon prej disa vitesh por ky vit me fatin e mirë që ka shumë diell dhe i gjithë Skrapari sot është në shesh për të bërë shumë më tepër promocion për një nga produktet më me emër që Skrapari ka në të gjithë Shqipërinë dhe për ta shndërruar këtë produkt kaq të bukur edhe turistik në një produkt financiar dhe ekonomik për banorët e kësaj zone”, tha ministri Klosi.

Klosi tha se, “është nga ato ditë të shënuara kur të gjithë mblidhen të gjithë së bashku dhe bëjnë promovim për një fushatë të mirë të prodhimit të rakisë së re, ku mblidhen nga e gjithë zona për të dëshmuar se tradita vazhdon dhe se kjo jetë ka shumë më tepër nevojë për gëzim, për hare dhe edhe për këngë, edhe për dolli, por po ashtu një mundësi e artë për të promovuar Skraparin turistik, Skraparin që ka një nga destinacionet më të bukura që janë kanionet e Osumit por ka edhe malin e Tomorit, ka kaq shumë burime natyrore që mund të kthehen fare mirë në burim turistik për turistët e vendit dhe të huaj”.

“Do të doja shumë që të vazhdojmë festat lokale gjatë gjithë vitit për të shtuar ekonominë dhe turizmin në këto zona. Ne do të vazhdojmë të promovojmë të gjitha vlerat dhe traditat që ka kjo zonë dhe që janë të gjitha unike dhe të mrekullueshme”, përfundoi Klosi.

Një mjedis më bashkëkohor për më të vegjlit – Skrapar – Inaugurohet kopsht – çerdhja e re në lagjen “2 Dhjetori”

Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Adriatik Mema dhe Menaxheri i TAP për Shqipërinë z.Malfor Nuri inauguruan sot, e martë 22.10.2019 mjediset e reja Kopsht – Çerdhes së lagjes “2 Dhjetori”, në Çorovodë. Investimi komunitar i Trans Adriatic Pipeline, ka sjell të ristrukturuar thuajse totalisht, mjediset të cilat vijnë më bashkohore dhe një imazh të ri.

Prezantohet në Tiranë “Raporti i Përputhshmërisë të Monitorimit të Performancës në Nivel Bashkie” – Bashkia e Skraparit në vendin e 5-të

👏 Bashkia Skrapar u rendit e 5-ta, nga 61 bashkitë në vend në grupimin e bashkive me përputhshmëri më të lartë në kërkesat e udhëzimit së Ministrisë së Financës. Raporti u prezantua sot, e martë 15 tetor 2019 në Tiranë “Raporti i Përputhshmërisë të Monitorimit të Performancës në Nivel Bashkie”

Menaxhimi i Mbetjeve – Zhvillohen në Skrapar dëgjesat publike “Mbi Draft Planin e Menaxhimit të Mbetjeve”

Bashkia Skrapar organizoi gjatë ditës së sotme dy dëgjesa publike në kuadër të prezantimit të Draft Planit së Menaxhimit të Mbetjeve. Takimet u zhvilluan në vijim të një pune parapërgatitore që ka nisur në nivel teknik dhe që synojnë një qasje të re të ndërveprimit të autoritetit vendor dhe komunitetit.
Në orën 10:00 të paradites së sotme, nisi takimi i parë i një serie konsultash publike që do të zhvillohen mbi prezantimin e draft planit. Ky takim u zhvillua me drejtuesit e institucioneve kryesore si NënPrefekti, Nënkryetari i Qarkut, Kryetarja e Këshillit Bashkiak Skrapar dhe anëtarë të Komisionit respektiv pranë Këshillit të Bashkisë, Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Arsimi dhe Drejtuesit e Shkollave, Spitali, Shëndeti Publik, etj. Pjesë këtij takimi ishte edhe një përfaqësi e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat duke forcuar kështu rolin e aktorëve të rëndësishëm rajonalë e vendore në strategjitë vendimarrëse. Menaxherja e Projektit për Menaxhimin e Mbetjeve në Qarkun Berat, znj.Mirela Buhuri në fjalën e saj theksoi rëndësinë e projektit jo vetëm në nivel lokal por për gjithë qarkun. Ajo vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe rezultativ që është patur me autoritetin vendor të Bashkisë Skrapar për sjelljen e një drafti të mirëfilltë, konkret dhe të realizueshëm në objektivat e tij. Të pranishmit më pas u njohën në mënyrë të detajuar me draft planin që grupi i punës i atashuar pranë Bashkisë Skrapar kishte përgatitur. Referuesja e këtij draft plani znj.Sonila Hysenbelli i’u përgjigj interesimit mbi pyetjet dhe sygjerimet e dala nga ky takim. Po ashtu po sot, rreth orës 12:00 u zhvillua një dëgjesë publike me banorë të qytetit të Çorovodës mbi të njëjtën tematikë. Pyetjet dhe problematikat e qytetarëve morën një rëndësi të veçantë në këtë takim, te cilat do te jene pjese e nje aneksi te vecante ne kete plan. Takimet do te vijojne ne njesite e tjera administrative te Bashkise Skrapar.
Në bashkëngjitje imazhet nga takimet e realizuara ditën e sotme.
Kujtojmë, se Bashkitë e Qarkut Berat janë pjesë këtij projekti që vjen si financim prej afro 2.2 milion franga zviceriane nga Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Ekonominë (SECO). Projekti vjen si kooperim me  Fondacionin për Qeverisje dhe Autonomi Vendore (Flag), Infrastruktur & Umwelt, Sehlhoff Gmbh.

Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Adriatik Mema merr pjesë në Konferencën e 3-të së Dialogut Ndërkombëtar në Maltepe, Turqi

Kryetari i Bashkisë së Skraparit z. Adriatik Mema, mori pjesë në Konferencën e tretë të Dialogut Ndërkombëtar, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Maltepe, Stamboll, Turqi.
Konferenca, e cila zhvilloi punimet në datat 4 dhe 5 Tetor 2019, adresoi tema që kanë të bëjnë me planifikimin urban, zbutjen e varfërisë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në nivel vendor. Pjesëmarrës në këtë konferencë, nga Shqipëria, përveç Kryetarit të Bashkisë së Skraparit, ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Kryetarë të Bashkive si dhe autoritete vendore nga vende të ndryshme si: Turqia, Gjermania, Bullgaria, Moldavia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Siria, Irani, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, etj.
Në fjalën e tij zoti Mema u ndal kryesisht në rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve si një instrument i cili siguron implementimin e të drejtave të tyre nga njëra anë, por që shërben njëherësh edhe si një mekanizëm i cili mban qeverisjen vendore gjithnjë e më shumë përgjegjëse ndaj komunitetit, nga ana tjetër. Pjesëmarrja e qytetarëve, ka marrë aktualisht një dimension të veçantë, me fjalë të tjera, ajo është ushtrim i pushtetit, një mënyrë e cila e sjell qeverisjen më afër qytetarëve, me synim përballimin e sfidave të zhvillimit. Ajo e bën komunitetin më inovativ, duke e detyruar qeverisjen të përmirësojë shërbimin ndaj tij dhe të ndërtojë programe zhvillimi të orientuara ndaj komunitetit dhe në funksion të përmirësimit të jetesës së komunitetit.
Gjatë punimeve të konferencës, z.Mema, pati një takim të veçantë me Kryetarin e Bashkisë së Maltepe, z.Ali Kiliç, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy bashkive në të ardhmen.
Në përfundim të konferencës të gjithë pjesëmarrësit nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Konferencës. Në mbyllje të konferencës, në fjalën e tij, në prani të medias, z. Mema e vlerësoi konferencën si shumë të sukseshme, duke shtuar se kjo iniciativë duhet të vijojë të konsolidohet edhe më shumë në të ardhmen, duke u fokusuar në tema me interes për vendet pjesmarrëse.