Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Lajme

Përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë Italo – Shqiptare në Bashkinë Skrapar

Përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë Italo – Shqiptare zgjodhën Bashkinë Skrapar në takimin e kryer mesditën e sotme. Ide të reja të bashkëpunimit bilateral, nxitje të formave të ndërveprimit Agro Kultural dhe Turizmit, ishin në fokus të takimit të organizuar në Mjediset e Bashkisë Skrapar. Puna e mirë dhe përkushtimi maksimal që Bashkia Skrapar dëshmon në veprimtarinë e përditshme po zgjojnë interes gjithnjë e më shumë për organizma dhe nisma serioze të kooperimit. Tomasso Scattolari, Presidenti i Dhomës së Tregëtisë Italo – Shqiptare u prit nga NënKryetarja e Bashkisë Skrapar znj.Rudina Llango. Fryma e Bashkëpunimit mes Bashkisë Skrapar dhe A.C.I.A. ishte ajo që dominoi takimin duke krijuar më shumë ura komunikimi të përbashkëta për komunitetin.

Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu uron bashkëqytetarët për Vitin e Ri 2019


Të nderuar Bashkëqytetarë!
Ndihem i privilegjuar sot, ndaj jush në këtë prag ndërrimi vitesh, tek shkëmbeni mes njëri – tjetrit urime dhe dëshira për një Vit të Ri, të mirë si Ju!
E andaj, ndihem i bekuar sot, kur më duhet t’i uroj, secilit prej jush, njerëzve më fisnik e plot traditë, të fjalës e të besës, të vlerave dhe mirënjohjes, të punës dhe besimit, secilit prej jush, Gëzuar Vitin e Ri 2019! Le të jetë ky vit, viti i harmonisë, paqes dhe begatisë për Ju dhe Familjet tuaja. Një rrugëtim i ri nis për secilin prej nesh dhe qoftë ky vit i mbarë për Skraparin tonë. Më lejoni të uroj vogëlushët, nxënësit, e studentët e Skraparit tonë të Dashur! E po ashtu të uroj me përzemërsi ata bijë e bija të Skraparit që ndodhen në emigrim, mes mallit dhe zemrës t’i uroj për lumturi në familjet tuaja. Më lejoni t’ju uroj, ju prindër, gjyshër e pensionistë të këtij qyteti, për më shumë të mira dhe buzëqeshje, për jetë të gjatë dhe plot shëndet.
Për të gjithë ju…
Nga zemra!
Gëzuar Vitin e Ri 2019!

Festat e Fundvitit – Nxënësit e Dalluar në aktivitetin Gëzuar 2019

Në këtë atmosferë festash, qyteti buzëqesh mes “Vogëlushëve më të Dalluar” që sot në Mjediset e Qëndrës Kulturore të Fëmijëve festuan “Gëzuar 2019”. Në një aktivitet të mirëorganizuar, kryefjala ishin ata… vogëlushët të cilët n’a mësojnë edhe ne të rriturve se festat duan dashurinë dhe çiltërsinë e tyre. Bashkia Skrapar u kujdes për këtë aktivitet të bukur e plot ngjyrash festive që QKF Skrapar dhe Drejtuesja me stafin e këtij institucioni me shumë përkushtim e sollën përmes kartolinave të urimit të krenarisë së të ardhmes sonë për prindërit, mësuesit dhe institucionin tonë vendor. Ata do të jenë artistët, mësuesit, admnistratat e së ardhmes që do t’a bëjnë Skraparin tonë edhe më të bukur. Gëzuar Festat! Një aktivitet nga QKF në bashkëpunim me shkollat 9 vjeçare “Kahreman Ylli” dhe “Zylyftar Veleshnja” dhe Zyrën Rajonale Arsimore, nën kujdesjen e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu

Nderohen në Homazhet e Nderit Bijtë e Skraparit – 29 Nëntori

️Gëzuar 29 Nëntorin – Ditën e Çlirimit!
Shqipëria feston sot 74 vite Çlirim!
Përpjekjet e një populli për t’a parë këtë vend të lirë, kulmuan në 29 Nëntor 1944. Ishte sakrifica e mijëra shqiptarëve të armës e dijes, patriotizmit dhe krenarisë që nuk kursyen asgjë për këtë vend. Homazhe nderi u kryen sot në Lapidarin e Dëshmorëve në Skrapar. Kurora me lule u vendosën nga Bashkia Skrapar, Komiteti i Veteranëve të Rrethit, Nënprefekti, Organizata e Familjeve të Dëshmorëve etj. Në Muzeun Historik të Skraparit u fol për sakrificat sublime për çlirim, të bijëve e bijave të Skraparit Heroik dhe kontributit të paçmuar të tyre në Çlirimin e Shqipërisë.
Si Kryetar i Bashkisë Skrapar më lejoni t’ju uroj e njëherësh t’a festojmë ndër shekuj e vite, sa vetë jeta këtë Ditë të Shënuar!
Gëzuar 29 Nëntorin!
Gëzuar Ditën e Çlirimit!

Presidenti i Republikës vlerëson dy personalitete të rëndësishme të Skraparit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij, z.Ilir Meta ishte sot në Bashkinë Skrapar ku nderoi dy personalitete të rëndësishme të Skraparit të vlerave. Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu mikpriti Presidentin e Republikës ndërsa së bashku morën pjesë në një aktivitet mes qindra të pranishmëve në nder të kontributit të Mustafa Kapinovës dhe Baba Meleq Staraveckës. Fillimisht Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu përshëndeti takimin dhe theksoi ndër të tjera rëndësinë e ruajtjes dhe trashëgimisë ndër breza të atyre që dhanë çdo përpjekje përmes penës dhe armës për shqiptarizmën e lirë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij zoti Ilir Meta përcolli mesazhet e rastit në aktivitetin e mbajtur ku i dha Baba Meleq Staraveckës ( pas vdekjes) Titullin “Naim Frashëri” në vlerësim të veprimtarisë patriotike gjatë luftës kundër pushtuesve të vendit sakrificave për mbrojtjen e traditave të vyera të besimit bektashian si dhe për përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe. Po ashtu, Presidenti i Republikës i dha Mustafa Kajo Bakiasit (Kapinovës) ( pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me mirënjohjen për trimërinë dhe heroizmit të treguar gjatë luftës për pavarësi dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare si dhe për kontributin e çmuar për mbrojtjen e jetës, familjes dhe pronës deri në Çlirimin e Vendit. Presidenti Meta, gjatë fjalës së tij theksoi gjithashtu edhe kontributin e shumë emrave të tjerë që krenarisht Skrapari ka dhënë në çështjen kombëtare për liri, çlirim dhe pavarësi. Në aktivitet krahës së pranishmëve morën pjesë edhe të afërm e familjarë të Mustafa Kapinovës, përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve të Skraparit, përfaqësues lokal etj. Aktiviteti u shoqërua edhe me elementë artistiko-kulturor.