Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Lajme

Bashkia Skrapar: Arritjet dhe sfidat e së ardhmes. Një ditë në Skrapar me Ministrin e Brendshëm, Z. Bledar Çuçi.

Takim me fermerët dhe blegtorët e Bashkisë Skrapar

Bashkia Skrapar organizoi ditën e djeshme një sërë takimesh, me tema të ndryshme të cilat prekin drejtpërdrejtë qytetarët. Takimi i parë ishte ai me një grup fermerësh dhe blegtorësh që u organizua në sheshin qendror të qytetit të Çorovodës. Të pranishëm në këtë takim ishin Ministri i Brendshëm, njëkohësisht drejtues politik i Qarkut të Beratit, z. Bledar Çuçi, si dhe zëvendësministri i Bujqësisë z. Arjan Jaupllari. Në fjalën e tij hyrëse Kryetari i Bashkisë z. Adriatik Mema falenderoi fermerët, blegtorët, bletërritësit që falë punës dhe iniciativës së tyre private arrijnë të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre duke qenë në të njëjtën kohë edhe taksa pagues të rregullt. Në vijim ai theksoi, se ky takim me këtë grup interesi, u realizua për të dëgjuar problemet që ata kanë por edhe për t’i inkurajuar që ata të vazhdojnë të merren me biznesin e tyre të shtojnë më tepër krerët në blegtori, bletari, sipërfaqet e mbjella me pemëtari, etj. Bashkia Skrapar e ka pasur dhe do ta ketë në qendër të vëmendjes fshatin.

Më pas fjalën e mori zv.Ministri z. Arjan Jaupllari ,  i cili u ndal në  realizimin e reformës në shërbimin veterinar, si një nga reformat më të suksesshme të qeverisë shqiptare, falë së cilës  u realizuan shërbime falas si: matrikullimi dhe vaksinimi i bagëtive. Z. Jaupllari u shpreh se programe të ndryshme të Ministrisë së Bujqësisë  janë inkurajuese dhe mbështetëse për këdo që do të investojë. Ai theksoi se nuk duhet të jemi vetëm konsumatorë, më së pari duhet të prodhojmë.

Në bashkëbisedimin me fermerët, të cilët falenderuan Bashkinë për bashkëpunimin, pavarësisht mundësive që ka pushteti vendor problematika kryesore për ta mbeten, ngritja e një pike grumbullimi të mjaltit, një linje të prodhimit të vajit të ullirit, funksionimi i tregut të produkteve bujqësore, si dhe implementimi në kohë i skemës së  subvecionimeve nga shteti. Pas problematikave të parashtruara nga fermerët, ministri z. Bledar Çuçi theksoi se është i  nevojshëm bashkëpunimi mes fermerëve dhe pushtetit vendor në funksion të ngritjes së  pikave të grumbullimit, kjo në kuadrin e një programi të posaçëm asistence për ata që dëshirojnë të investojnë. Ndërsa sa i takon çështjes së pagesës së subvencioneve z. Çuçi theksoi se fondi i qeverisë për këtë qëllim ka ardhur duke u rritur, duke bërë që përfituesit të jenë më të shumë nga viti në vit.

Ky takim por edhe raporti që Bashkia Skrapar ka vendosur me fermerët dhe blegtorët do të intensifikohet më tej në funksion të nxitjes së iniciativës së tyre private.

Prezantimi i arritjeve të Bashkisë Skrapar për vitet 2019-2022

Pas përfundimit të takimit me fermerët dhe blegtorët, vizita e z. Çuçi vijoi në sallën e kinemasë së qytetit, në një takim të zgjeruar në të cilin u prezantuan arritjet e Bashkisë Skrapar gjatë këtij mandati qeverisës.

Në fjalën e tij të hapjes Ministri Çuçi u ndal në mbështetjen që qeveria dhe Kryeministri Rama i kanë dhënë Bashkisë Skrapar, në funksion të realizimit të projekteve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Si të tilla ai përmendi, ujësjellësin e ri të qytetit,  punimet që po kryhen për fazën e dytë të Rilindjes Urbane  si dhe rijetëzimin e qendrës Bogovë, si një destinacion turistik. Më tej ai vlerësoi punën e bërë nga Bashkia Skrapar duke theksuar se mbështetja e qeverisë do të jetë gjithmonë e pranishme.

Më pas fjalën e mori Kryetari i Bashkisë i cili që në krye të herës theksoi se “Është një detyrim ligjor dhe moral për mua si Kryetar Bashkie të dalë përpara komunitetit në këtë takim llogaridhënie, për ato çka bashkia ka bërë në këto 3vite, sfidat dhe projektet për të ardhmen”.

Ai prezantoi përpara pjesëmarrësve projektet kryesore , duke filluar me ato në fushën e arsimit. Këtu veçoi ndërtimin e ambienteve sportive “të munguara deri tani” , në të 3-ja shkollat e qytetit. Më tej ai u ndal në investimet në ujësjellësa, kjo e parë me prioritet nga qeveria, për t’u furnizuar 24 orë me ujë të pijshëm, ku përmendi: rehabilitimin e ujësjellësit të Çorovodës dhe fshatrave Çerenisht dhe Sharovë, furnizimin me ujë të fshatrave Gjerbës dhe Kakrukë, zëvendësimin e pompave ekzistuese dhe rikonstruksionin e godinës së stacionit të pompave të Ujësjellësit, Çorovodë

Ai theksoi se një vend të rëndësishëm në këto investime zënë dhe ato të sistemimeve urbane ndër to përmendi: rikualifikimin urban të ambienteve rekreative si dhe restaurimin e fasadave të objekteve të lagjes 5 Shtatori Çorovodë, rikualifikimin e qendrës së Çorovodës, faza e dytë si dhe  rehabilitimin e qendrës Bogovë dhe rrugës për të ujëvara.

Më pas ai vijoi me administrimin e mbetjeve urbane, këtu ai prezantoi gjithë punën  e bërë nga bashkia për të siguruar një menaxhim të mbetjeve sipas parametrave bashkëkohor, një proces ky që është realizuar në bashkëpunim me një sërë donatorësh, si : Ambasada Japoneze, Gjermane, Zviceriane.

Nga ambasada japoneze Bashkia Skrapar ka përfituar një automjet për grumbullimin e mbetjeve, ka përfituar një makinë teknologjike për transportin e tyre, gjithashtu ka përfituar dhe një autobot për larjen e rrugëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta.

Nëpërmjet Ambasadës Gjermane “Projekti Giz” ka përfituar një projekt i cili transformoi rrënjësisht vend-depozitimin e mbetjeve duke e kthyer atë në një vend-depozitim urban dhe me standarde bashkëkohore, po ashtu dhe me Ambasadën Zviceriane është bërë e mundur sigurimi i një mjeti teknologjik me kalueshmëri të lart për tërheqjen e mbetjeve në zonat periferike të qytetit të Çorovodës, në këtë fushë Kryetari theksoi se bashkia ka edhe projekte në proces për sa i takon menaxhimit të mbetjeve siç ishte ai për rehabilitimin e mbetjeve të ngurta apo projekte që do të fillojnë së shpejti, për ndarjen e mbetjeve. Bashkia Skrapar është një ndër bashkitë e para që aplikon procesin e kompostimit të mbetjeve organike.

Më tej ai u ndal në investimet në infrastrukturën rrugore duke përmendur segmentet kryesore të cilat janë rehabilituar gjatë këtij mandati por edhe projektet që tashmë janë depozituar pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit siç është ai Bogovë-Novaj, Lis i Buzuqit-Strorë, Çorovodë-Grepckë, Çorovodë-Blezënckë etj.

Një kapitull të veçantë në prezantimin e Kryetarit të Bashkisë zinte  ai që kishte të bënte me punën dhe performancën e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike,  në mbajtjen pastër të qytetit dhe në implementimin e projekteve të vogla urbanizuese brenda blloqeve të pallateve në qytetin e Çorovodës.

Në fund të fjalimit të tij Kryetari i Bashkisë u ndal në prioritetet e së ardhmes ku përmendi:

  1. Këndi i lojërave për fëmije në Çorovodë
  2. Ndërtimi i lulishtes në lagjen “Estref Caka”
  3. Asfaltimi i tre segmenteve rrugore ne qytet
  4. Rehabilitimi i vend-depozitimit të mbetjeve të ngurta
  5. Ndërtimi i Ambienteve Sportive “Zylyftar Veleshnja”
  6. Ndërhyrje restauruese përgjatë kanioneve: Varisht, Ura e Zaberzanit
  7. Ujësjellësit: Radësh, Vërzhezhë, Munushtir, Orizaj, Strorë, Potom, Therepel, Vëndreshë
  8. Palestra Multifunksionale, Çorovodë
  9. Rikonstruksioni i sallës së Pallatit të Kulturës
  10. Rrugët: Çorovodë – Grepckë
  11. Lisi Buzuqit – Strorë
  12. Bogovë – Novaj
  13. Mal i Tomorrit – Gjerbës
  14. Ndërtimi i shkollës së Mesme Potom
  15. Rikonstruksioni i shkollës Vëndreshë

Prezantimi i Kryetarit të Bashkisë u ndoq me shumë interes nga të pranishmit.

Inspektim i punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Çorovodës

Ministri i Brendshëm z. Ҫuҫi, inspektoi ditën e djeshme punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit të Ҫorovodës, si dhe fshatrave Ҫerenisht e Sharovë.

Ky është një nga investimet më të mëdha të këtij mandati të qeverisjes vendore, financuar nga buxheti i shtetit. Furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë Rama. Punimet për ndërtimin e këtij ujësjellësi kanë filluar në korrik 2020 dhe janë tashmë në fazën përfundimtare.

Ministri Ҫuҫi, pa nga afër ecurinë e punimeve të  kryera nga kontraktori zbatues i projektit. Stafi inxhinierik bëri një prezantim të shkurtër të punimeve në kommponentët kryesorë të projektit: veprën  e marrjes (burimi i Guhakut), stacionin e pompimit, linjat e dërgimit në depo deri në pikën fundore të furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve. Në sajë të këtij investimi, shpejt banorët e qytetit të Çorovodës dhe fshatrave përreth do të kenë 24 orë ujë të pijshëm në ditë.

Takimi me njerëzit e suksesit

Dita e djeshme u mbyll me një mbrëmje “Gala” në të cilën Bashkia Skrapar vlerësoi kontributin e një grupi të suksesshëm individësh nga fusha  e biznesit, mjekësisë, arsimit etj.

Në fjalën e hapjes Kryetari i Bashkisë  shprehu “ Mirënjohjen për arritjet e këtyre individëve dhe  vlerësim për suksesin që ata kanë bërë ndër vite me  punën dhe përkushtimin e tyre”.

Më tej ai theksoi se është detyrim moral i bashkisë të vlerësoj kontributin e këtyre njerëzve që bëjnë diferencën në komunitetin tonë.

Më pas mbrëmja vijoi me prezantimin e individëve të përzgjedhur për këtë qëllim, të cilët ishin: mësues, fermerë, infermierë, grupi i vaksinimit.

Më vijim Kryetari i Bashkisë prezantoi të gjithë të përzgjedhurit e kësaj mbrëmje dhe shprehu vlerësimin e tij për secilin prej tyre, për ato çka ata bëjnë  në përditshmëri, qofshin të administratës shtetërore apo iniciativën private.

E veçanta e kësaj mbrëmje ishte vlerësimi që u shpreh për grupin e vaksinimit të kujdesit shëndetësor, Kryetari i bashkisë u ndal  posaçërisht në kontributin që këto zonja kanë dhënë në përballimin e situatës së Covid -19.

Për të gjithë të pranishmit u shpërndanë certifikata mirënjohje të shoqëruara me dhurata simbolike, të përgatitura enkas nga Bashkia Skrapar.

Ministri Çuçi ishte i pranishëm në këtë event, ai shprehu vlerësimin e tij për kujdesin që Bashkia Skrapar tregon në mbështetje të individëve qofshin këta blegtorë, bletërritës, etj.

Më tej mbrëmja vazhdoi në grupe më të vogla në një atmosferë mjaft festive.

Inaugurimi i Qendrës Rekreative në Lagjen “5 Shtatori”

Së bashku me z. Basilio Antonio Toth, Bashkë-drejtorin Italian të zyrës Njësia e Mbështetjes Teknike (TSU) e Programit IADSA dhe stafin e kësaj zyre, inauguruam sot Qendrën Rekreative në Lagjen “5 Shtatori”, një vepër e realizuar përmes financimit të përbashket të IADSA dhe Bashkisë Skrapar.
Kjo qendër e pozicionuar brenda një blloku pallatesh banimi, shënon një transformim rrënjësor të një hapësire publike, të zënë me ndërtime tërësisht të degraduara apo garazhe të ndërtuara pa asnjë kriter urban. Pamjet sesi kjo hapësirë dukej përpara fillimit të investimit dhe atë çka qytetarët shohin sot, flasin më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo hapësirë publike është shndërruar sot në një qendër, ku individë të të gjitha moshave mund të kalojnë në mënyrë qytetare kohën e tyre të lirë. Ideuesit e këtij projekti kanë parashikuar (tashmë kjo e materializuar në terren) një mini kënd lojrash për fëmijët, tavolina shahu dhe ping pongu për më të rriturit, paralele hekuri, si dhe një fushë basketbolli për të rinjtë, duke bërë që kjo qendër të shfrytëzohet më së miri nga të gjithë. Nga ana arkitekturore, ajo është një kombinim perfekt i hapësirave të gjelbërta dhe punimeve në gur sipas traditës të qytetit tonë. Ndriçimi i saj e bën këtë qendër shumë tërheqëse. Përveç financimit nga IADSA, Bashkia Skrapar me fondet e saj ka bërë të mundur rehabilitimin e fasadave të pallateve rreth kësaj qëndre, duke i dhënë edhe më shumë vlerë këtij ansambli të munguar në këtë pjesë të qytetit. Ajo është shndërruar sot në një qendër të dytë të qytetit të Çorovodës. Ndaj, Bashkia Skrapar gjen rastin të falenderojë dhe shpreh mirënjohjen e saj për IADSA dhe stafin e saj të mrekullueshëm, të cilët me financimin e tyre bënë të mundur ndërtimin e kësaj qendre, e cila është ndoshta nga investimet urbane më serioze të viteve të fundit. Një falenderim i veçantë shkon po ashtu për “MVM Architecture” për hartimin e këtij projekti shumë funksional estetik si dhe kompaninë “IDK KONSTRUKSION” për realizimin mjaft cilësor të kësaj vepre.
Zhvillimi i aktivitetit “Përqëndrim, lojë dhe krijim”, në të cilin morën pjesë fëmijë të talentuar të tre shkollave të qytetit, në disiplinat e basketbollit, pingpong-ut, shah-ut dhe pikturës, ishte mënyra më e mirë për ta inaguruar këtë qendër, e cila do të vijojë të shfrytëzohet (sikurse edhe gjatë festimeve të “5 Shtatorit”) për aktivitete social kulturore. Të përqëndruar në hapësirat e dedikuara të secilave prej disiplinave në të cilën morën pjesë, këta fëmijë treguan edhe njëherë se talenti i tyre i bën bashkë në këtë qendër dhe jo vetëm. Falenderojmë të gjithë fëmjët dhe tre shkollat e qytetit për bashkëpunimin e ofruar.
Aktivitet përmbyllës, i organizuar në bashkëpunim me Bashkinë Skrapar, nga Grupi Informal “RAM”, i mbështetur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, për të zbatuar projektin “E ardhmja e sigurt që rrjedh. Ndërgjegjësim për mbrojtjen e lumit Osum”.
Gjejmë rastin të falenderojmë përzemërsisht sponsorat tanë për këtë akt të çmuar.

Filloi zbatimi i Projektit për nxitjen e zhvillimit të blegtorisë në Njësinë Administrative Potom

Që nga fillimi i kësaj jave, Bashkia ka filluar zbatimin e projektit për nxitjen e zhvillimit të blegtorisë në Njësinë Administrative Potom, financuar nga Bashkimi Evropian. Ky projekt synon nxitjen e zhvillimit blegtoral në këtë njësi, banorët e së cilës e mbështesin ekonominë e tyre familjare tek blegtoria. Në terma më konkretë, pjesë e këtij projekti janë, ndër të tjera edhe ndërtimi i lerave, ndërhyrje në disa stane, sigurimi i pajisjeve për administrimin e qumështit, etj. Në kontekstin e mësipërm, ditën e djeshme , në Nj.A Potom, zhvillua një takim me blegtorët e kësaj njësie. Në takim merrte pjesë kryetari i Bashkisë, Administratori i Nj.A Potom, si dhe përfaqësues të organizatës “Njerëz dhe Ide”, e cila është partnere e Bashkisë në realizimin e këtij projekti. Kryetari i Bashkisë bëri një prezantim të projektit, qëllimet e tij, mënyrën e realizimit, si dhe përfituesit e drejtpërdrejtë të tij. Në këtë takim, blegtorët e pranishëm prezantuan problematikat që ndeshin në punën e tyre të përditshme, si dhe nevojat e tyre kryesore, që mund të përmbushen përmes realizimit të këtij projekti. Në bashkëpunim të afërt me ta, do të përcaktohen edhe vendet më të përshtatshme për ndërtimin e lerave të ujit, me qëllim që ato t’ju vijnë në ndihmë sa më shumë blegtorëve në zonë. Referuar edhe shtrirjes gjeografike të kësaj Njësie, si dhe numrit të tufave në fshatra të ndryshëm, u ra dakord që gjatë zbatimit të projektit, të ketë një shpërndarje sa më të drejtë sa i takon vendndodhjes së lerave, staneve në të cilët do të ndërhyhet, apo pajisjeve që do t’ju vihen në dispozicion blegtorëve të kësaj Njësie. Zbatimi i këtij projekti do të vijojë sipas fazave të përcaktuara dhe në bashkëpunim të ngushtë me blegtorët e kësaj njësie, si përfitues direkt të tij. Bashkia, gjen rastin të falënderojë blegtorët e pranishëm në këtë takim, duke i siguruar se do të bëjë gjithçka të mundur në mbështetje të veprimtarisë së tyre në të ardhmen.

Muaji Antitrafik në Bashkinë Skrapar

Muaji Tetor është cilësuar si muaji kundër luftës për trafikimin e qenieve njerëzore. Andaj si i tillë, Bashkia Skrapar ka ndërmarrë nismën e fushatës sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese nëpërmjet aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë gjithë muajit Tetor. Kështu sot më datë 11.10.2022, u organizua takimi i Tryezës Teknike, i cili do të inicionte këtë fushatë në kuadër të muajit antitrafik. Në këtë takim ishin të pranishëm anëtarë të grupit teknik multidisiplinar dhe aktorë të tjerë në luftën antitrafik.
Në fjalën e saj të hapjes, Drejtore e Shërbimit Social, Arsimit, Sportit, Kulturës dhe Rinisë në Bashki, Znj. Kamela Nako vuri theksin tek rëndësia e ndërmarrjes së një angazhimi të përbashkët në luftën kundër trafikimit të personave, si dhe përcjelljes së mesazheve të forta sensibilizuese për rreziqet që sjell trafikimi, rrugët dhe format që duhet të ndjekim për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut, në veçanti të grupeve vulnerabël.
Gjatë takimit u diskutua nga të gjithë aktorët, mbi fenomenin e trafikimit, format e tij, mënyrat e raportimit dhe demonstruan angazhimin e tyre në identifikimin dhe parandalimin e trafikimit të personave dhe në veçanti të fëmijëve. Gjithashtu, theksi u vu në gjetjen e metodave që duhen përdorur për një bashkëpunim ndërinstitucional jo vetëm për takime të tilla por edhe në raste konkrete.

Thirrje për anëtarësim në Këshillin Vendor Rinor Skrapar

Nëse të pëlqen …të njihesh me njerëz të rinj, të shprehësh e të ndash opinionet e tua, të përmirësosh ndjeshëm nivelin e zotërimit të Anglishtes, të promovohesh si lider….dhe ke dëshirë ta transformosh komunitetin tënd duke e shndërruar në një realitet më të emancipuar, vibrant e plot jetë e gjallëri …
Atëherë ti je një kandidat\e i\e shkëlqyer për t’u bërë pjesë e Këshillit Vendor Rinor Skrapar (Skrapar Youth Council)

A. Historiku i Këshillit Vendor Rinor Skrapar
Këshilli Rinor Vendor Skrapar është një sektor i ideuar dhe i suportuar nga Bashkia Skrapar, i cili ka për qëllim përkrahjen, konsulencën, aktivizimin vullnetarizmin dhe zhvillimin e lidershipit për rininë e qytetit. Gjithashtu, ky sektor synon ndërtimin e marrëdhënieve midis të rinjve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal e qendror, OJF-ve, etj. Për të qenë pjesë e këshillit rinor nuk kërkon asnjë lloj kostoje monetare nga ana e të rinjve, mjafton që këto të fundit të aplikojnë. Procesi i aplikimit të të rinjve realizohet përgjatë muajit Tetor 2022. Kryetari i Bashkisë ngreh një grup pune, i cili përzgjedh sipas kritereve të vendosura të rinjtë që përzgjidhen. Procesi i selektimit bazohet në cilësinë e aplikimit të shkruar të çdo aplikanti, shprehjen e interesave, dhe në letër rekomandimet përkatëse.

  1. Për tu bërë pjesë e Këshillit Rinor Vendor duhet të jeni pjesë e një Organizate Rinore (OJF), anëtar i Këshillit studentor ose përfaqësues të tjerë.

• Kriteret e procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Vendor Rinor:
• Mund të jenë anëtarë me të drejta të plota të rinjtë në moshën 15 deri 29 vjeç,
• Të mos ketë konflikt interesi në përmbushjen e kërkesave dhe dispozitave ligjore në fuqi.
Të ketë përvoje në fushën e zhvillimit apo zbatimit të aktiviteteve rinore.
• Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

  1. Kandidatët për t’u emëruar anëtar i Këshillit Vendor Rinor Skrapar duhet të paraqesin interesin e tyre, në adresën: Zyra e Protokollit, kati 1, Bashkia Skrapar, brenda afatit kohor 08.11.2022, përkatësisht dokumentacionin si vijon:

• Kandidatët përfaqësues i organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë:
• Kërkesa
• Jetëshkrimin (CV) të shoqëruar me dokumentacion
• Vetëdeklarimin e konfliktit të interesit

• Kandidatët jo përfaqësues të organizatave rinore :
• Kërkesa
• Jetëshkrimin CV të shoqëruar me dokumentacion
• Letër motivimi
• Vetëdeklarimin e konfliktit të interesit

  1. Njoftimi i fitueseve do të publikohet në faqen zyrtare të institucionit, në mjediset e bashkisë dhe/ose në rrjetet sociale të institucionit.

B. Përfitimet e të qenit pjesë e Këshillit Rinor Vendor Skrapar
Të rinjtë të cilët bëhen pjese e Këshillit Rinor Skrapar, padyshim që përmirësojnë aftësitë e tyre në:
Komunikim
Mendimin Kritik
Hartim projektesh
Zgjidhjen e Problemeve
Gjuhen Angleze
Punën në grup
Teknologji
Krijimtari

Pjesëmarrësit aftësohen duke hyrë në marrëdhënie bashkëvepruese me bashkëmoshatarët e tyre nga të gjithë komunitetet e qytetit, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e Bashkisë si dhe Këshillin Bashkiak. Gjithashtu, krijojnë mundësi të takohen me profesionistë të ndryshëm të Skraparit si ato të fushës së artit dhe kulturës, OJF- së dhe biznesit etj.