Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Lajme

Forumi i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese

Ditën e djeshme,  Bashkia Skrapar mori pjesë në “Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese” organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe me mbështetjen e GIZ.

Qëllimi i këtij Forumi ishte përhapja më e gjerë e modeleve të Kompostimit dhe Riciklimit të mbetjeve, përveç detyrimit për grumbullimin dhe depozitimin e tyre në vend depozitime të ligjshme.

Kryetari i Bashkisë Skrapar, gjatë prezantimit të tij, ndau me pjesëmarrësit në këtë forum, eksperiencën e kësaj Bashkie në Menaxhimin e Mbetjeve, në sigurimin e logjistikës së domosdoshme për kryerjen e këtij shërbimi në mënyrë bashkëkohore, Objektivat e parashikuara në Dokumentin Strategjik Vendor, sfidat për operimin e vend depozitimit të rehabilituar (financuar nga GIZ) , në politikat që do të ndiqen për jetëgjatësinë e këtij vend depozitimi deri në ndërtimin e Qendrës Rajonale të Menaxhimit të Mbetjeve duke theksuar misionin e vazhduar të kësaj Bashkie, në “Mbrojtjen e Mjedisit, mirë menaxhimin e mbetjeve urbane, pastërtinë në qytet dhe përreth, duke krijuar kësisoj një ambient sa më atraktiv dhe miqësor për komunitetin dhe vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët dëshirojnë të shijojnë atraksionet natyrore dhe turistike të Skraparit”.

Bashkia Skrapar nuk ndalet

Misioni ynë, vazhdon.

21 – vjetori i festimit të shumëllojshmërisë gjuhësore dhe kulturore në Skrapar

Dita Europiane e Gjuhëve është dita e përvitshme për të festuar dhe për të inkurajuar mësimin e gjuhëve në të gjithë Europën. Kjo ditë është vlerësuar si një ditë gjithë përfshirëse, e cila mbështet nxënësit që të arrijnë potencialet e tyre dhe të luajnë një rol aktiv në shoqëritë e ndryshme dhe demokratike.

Në sajë të kësaj dite të veçantë, nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi”, organizuan sot në ambientet e shkollës, një aktivitet në të cilin përcollën mesazhin se mësimi i gjuhëve të huaja është jo vetëm një festë por edhe një nevojë për të ardhmen. Nxënësit kishin përgatitur disa materiale në gjuhë të ndryshme, nëpërmjet të cilave shprehën bindjen se diversiteti gjuhësor është një mjet për të arritur një mirëkuptim më të madh ndërkulturor dhe një element kyç në trashëgiminë e pasur kulturore të kontinentit tonë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Skrapar, mësues dhe nxënës të shkollës, ku fokusi kryesor ishte nxitja për përvetësimin e gjuhëve të huaja gjatë programit mësimor, si dhe në mënyrë autodidakte, duke i dhënë mundësinë gjithsecilit për të vlerësuar dhe promovuar të gjitha gjuhët dhe kulturat në Europë.

Takim ndërgjegjësues mbi sigurinë në shkolla

Takim ndërgjegjësues mbi sigurinë në shkolla.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional midis Bashkisë Skrapar, Komisariatit të Policisë dhe shkollave të qytetit, nisën sot veprimtaritë ndërgjegjësuese me fokus ndalimin e fenomeneve negative dhe rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla dhe pranë tyre.
Në aktivitetin e organizuar sot, në shkollën e mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi”, morën pjesë përfaqësues të Bashkisë, përfaqësues të Policisë, drejtues të shkollës, mësues, psikologë, oficerë të sigurisë dhe përfaqësues nga qeveria e nxënësve.

Përfaqësues të Bashkisë pjesëmarrës në këtë takim vunë theksin në nevojën e bashkërendimit të përpjekjeve për të identifikuar në funksion të garantimin të sigurisë në shkolla.

Nga ana e tij, shefi i rendit në Komisriatin e Policisë Komisar Shyto Laze, theksoi se siguria në shkolla është përgjegjësi ligjore e të gjithë aktorëve. Ndaj dhe kërkohet të bashkëpunohet për identifikimin e hershëm të problematikave për të mos lejuar që ato të gjejnë vend në mjediset tona shkollore.
Gjatë takimit u diskutua në detaje sesi të ndërtohet në vijueshmërinë bashkëpunimi midis shkollave, Bashkisë dhe organeve të Policisë me synim garantimin në vazhdimësi të sigurisë në shkolla.

Gjithashtu, u theksua domosdoshmëria e reagimit dhe kontributit të gjithsecilit, për t’u ardhur në ndihmë të rinjve në nevojë, në mënyrë që të mos i lejojmë të vijojnë drejt akteve të paligjshme që të çojnë drejt greminës, por të ecin në rrugën e dijes, në rrugën e sigurt drejt së ardhmes.
Takime si ky i sotmi, do të vijojnë edhe në shkolla të tjera si në qytet, ashtu edhe në Njësitë Administrative.

Të mbajmë një qytet të pastër dhe të gjelbëruar – ky është misioni ynë.

Në sajë të mbështetjes financiare të Ambasadës së Japonisë në Tiranë, Bashkisë Skrapar iu dorëzua një kamion (autobot) i ri, me kapacitet 7.5 ton, me kalueshmëri të lartë, i cili nga dita e sotme do të jetë në dispozicion të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Ky mjet do të përdoret për larjen e rrugëve, si dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në qytet. Po ashtu, në rast nevoje, ai do të përdoret edhe për furnizimin me ujë në zonat rurale të Bashkisë tonë.
Në ceremoninë e dorëzimit ishte i pranishëm Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Sh. T. Z. Takada Mitsuyuki. Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Bashkisë, z. Adriatik Mema, Ambasadori z. Takada, vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit me Bashkinë Skrapar, si rezultat i të cilave është bërë e mundur rritja e kapaciteteve logjistike në administrimin e mbetjeve urbane më qytet dhe fshatrat përreth.
Nga ana e tij, z. Mema i shprehu Ambasadorit falenderimet dhe mirënjohjen e veçantë për Ambasadën e Japonisë për këtë ndihmë të çmuar dhe bashkëpunimin e shkëlqyer e vendosur prej disa vitesh me Bashkinë Skrapar. Me këtë rast, në ambientet e Bashkisë, u çel edhe një ekspozitë fotografike nga Japonia, e cila u ndoq me shumë interes nga vizitorët, veçanërisht nga nxënësit e shkollave të qytetit. Ambasadori z. Takada, bëri me këtë rast një përmbledhje të marrëdhënieve Japoni – Shqipëri, në kuadrin e 100 vjetorit të tyre. Në mbyllje të veprimtarive të kësaj dite, ai vizitoi disa nga destinacionet turistike të Skraparit. Të dy palët ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit me projekte konkrete në të ardhmen.

80 vjetori i Çlirimit të Skraparit.

Si asnjëherë më parë “5 Shtatori”, që këtë vit shënon 80-Vjetorin e Çlirimit të Skraparit, u përcoll me një javë të mbushur me aktivitete festive, organizuar nga Bashkia Skrapar në bashkëpunim me sponsor të ndryshëm.

Fokusi ynë është buzëqeshja e fëmijëve. Andaj, fillimi i javës kulturore  nisi me një shfaqje të trupës së Cirkut Kombëtar, pasditen e të enjtes.  Me performancën e saj fantastike ajo dhuroi art, dashuri, përkujdesje dhe argëtim për të gjithë fëmijët e qytetit.

Veprimtaria kulturore e kësaj ditë pasoi me koncertin e organizuar në lagjen “5 Shtatori” të “All In Band”. Një performancë e shkëlqyer e kësaj bande, e cila u ndoq nga shumë qytetarë, të të gjithë grup moshave, bëri që të krijohej një atmosferë shumë e bukur dhe festive për të gjithë.

Pa shkëputur vëmendjen nga fëmijët, dita e dytë vijoi më një aktivitet me animatorë social, të zhvilluar në ambientet e kinemasë së qytetit. Ky aktivitet përcolli tek të gjithë fëmijët nëpërmjet lojërave dhe kërcimeve të ndryshme, shumë gëzim dhe argëtim.

Në ditën e tretë qyteti do të zgjohej sërisht me zërin e  ëmbël të fëmijëve, duke organizuar kështu finalen e projektit “Promovimi i talenteve të Skraparit”. Në bashkëpunim me Albania Event Production, fëmijë të Skraparit nxorën në pah dhe dhuruan një shfaqje të mrekullueshme nëpërmjet talentit të tyre për të gjithë qytetarët e Skraparit. Gjatë këtij spektakli, fëmijët pjesëmarrës u certifikuan si konkurentë zyrtarë të MISS&MISTER CHILDREN ALBANIA, i cili pritet të zhvillohet në 11 Shtator 2022. Shumë emocione dhe lumturi përcolli ky format për të gjithë.

Por kjo ditë nuk mbaroi këtu. Mbas këtij spektakli të dhuruar nga fëmijët e Skraparit, do të vazhdonte festa në lagjen “5 Shtatori”. Nëpërmjet një koncerti FOLK, nga grupi polifonik i këngës popullore të Skraparit u dhurua një atmosferë  festive për të gjithë qytetarët.

Dita pasardhëse do ti kushtohej rinisë së qytetit. Kështu, pasditen  e së dielës u organizua një festë në kanionet e Osumit, magjia e së cilës ishin vetë të rinjtë e qytetit dhe bukuria e rrallë e kanioneve.

Data e madhe historike “5 Shtator” nisi me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, gjatë të cilës autoritet vendore dhe jo vetëm, përkujtuan me nderim dëshmorët e rënë për çlirimin e Skraparit. Më pas,  në ambientet e muzeut historik të Skraparit u organizua  në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ Skrapar, një takim përkujtimor.

E veçanta e kësaj dite ishte pjesëmarrja e Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, të cilët dhuruan performancën  e tyre artistike përgjatë pedonales dhe sheshit qendror të qytetit.

Kulmin e saj kjo javë e mbushur me aktivitete e shënoi  me Maratonën “Kënge Moj”, e cila vjen për herë të parë në Skrapar me një koncert të jashtëzakonshëm, i cili u ndoq nga qindra banorë të Skraparit, të cilët festuan deri në orët e vona të mbrëmjes.